Rritet në 53 numri i palestinezëve të martirizuar nga sulmet izraelite në Gaza…

Me humbjen e jetës edhe të 5 personave të tjerë, është rritur në 53 numri i palestinezëve të martirizuar nga sulmet që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se është rritur numri i të vdekurve dhe të plagosurve në sulmet që Izraeli ka zhvilluar në zona të ndryshme të Gazës që nga e hëna.

Ndër palestinezët e martirizuar janë 14 fëmijë dhe 3 gra, ndërsa numri i të plagosurve ka shkuar në 320.

Që nga java e kaluar, tensionet u përshkallëzuan në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor kur kolonët izraelitë u futën në zonë pasi një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimin e familjeve palestineze.

Palestinezët që protestojnë në solidaritet me banorët e lagjes Sheikh Jarrah janë vënë në shënjestër të forcave izraelite.

Dhuna izraelite në qytetin e Kudsit shkaktoi shpërthimin e ofensivës së fundit në Rripin e Gazës e cila filloi të hënën në mbrëmje. Përshkallëzimi rezultoi në sulme ajrore nga Izraeli në Gaza, të cilat martirizuan dhjetëra palestinezë dhe qindra të tjerë plagosën.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.