Rama shpall amnisti për qytetarët e gjobitur gjatë pandemisë, ndëshkimi nis nga java e ardhshme

Kryeministri Edi Rama shpalli amnistinë e të gjithë qytetarëve, qofshin këta këmbësorë apo drejtues mjetesh, të cilët janë ndëshkuar gjatë kohës së pandemisë para hyrjes në fuqi të kodit penal.

Në një komunikim me qytetarët, Rama tha se le ta nisin të gjithë të barabartë nga java e ardhshme kur edhe ndryshimet në kod hyjnë në fuqi.

Edi Rama: Janë ekzekutuar deri tani 7107 gjoba për këmbësorë dhe 1941 për drejtues automjeti që janë shoqëruar me pezullim të lejes së drejtimit për 3 vjet dhe bllokim të automjetit. Ne sot kemi vendosur mosekzekutimin e të gjithë këtyre gjobave dhe kthimin te të gjobiturit të të gjitha patentave dhe të të gjitha automjeteve të bllokuara. 

Me hyrjen në fuqi të kodit të ri penal për situatën e epidemisë të gjithë qytetarët le të startojnë  të barabartë në fazën e dytë të kësaj lufte ku hapja graduale do të shoqërohet patjetër edhe me mundësinë e ndëshkimeve shembullore për të cilat nuk do të ketë më asnjë kthim pas.Le të themi çfarë iku iku dhe në fund të fundit edhe ata të cilët gabuan le të marrin të drejtën e të qënit të padyshuar si të pabindur apo të papërgjegjshëm dhe le të kthehen në të njëjtin start. 

Ama kush nuk do të dojë të jetë njësh me interesin e vendit dhe popullit do ta paguajë me të gjitha pasojat tashmë të rënda edhe penale që parashikohen nga çka miratuam dje në Kuvend. Asnjë hapje nuk mund të kthehet në hapje rruge për infektimin e njerëzve nga këmbësorë të papërgjegjshëm, nga drejtues të pabindur automjetesh, nga sipërmarrës apo dyqanxhinj të pavëmendshëm për të mbrojtur shëndetin e personelit dhe konsumatorit.