Qeveria ndryshon vendimin: Ulet mesatarja për pranimin në universitet, por mbetet për mësuesinë…

Qeveria shqiptare ka ndryshuar vendimin që përcakton notën mesatare për maturantët që duan të vazhdojnë në universitet. Ministrja e Arsimit Evis Kushi deklaroi se mbetet mesatarja 7.5 për mësuesinë, por në këto programe do të pranohen edhe profesione të tjera me mesatare 6.5.

?Miratuam një ndryshim në VKM që përcakton notën mesatare për maturantët që duan të vazhdojnë në universitet. Me reformën e mësuesisë të gjithë maturantët që duhet të vazhdojnë për mësuesi duhët të kenë mesatare 7.5. Nisur nga shqetësimet e universiteteve që jo të gjithë maturantët duan të bëhen mësues, në këto programe mund të hyjnë edhe ata maturantë që duan të vazhdojnë një profesion tjetër. Mund të ketë nga ata psh për gjuhë të huaj mund të bëhen përkthyes po kështu edhe për ata të letërsisë, që nuk duan të bëhen mësues. Me vendimin e sotëm i japim mundësi edhe maturantëve që mbarojmë me mesatare 6.5 të hyjnë në këto programe të ciklit të parë por do të kenë kod të veçantë matrikulimi për të vazhduar në ciklin e dytë master për profesionet e tjera”.

Me ndryshimin e këtij vendimi, Kushi shpreson që vitin e ardhshëm akademik numri i studentëve në këto degë të jetë më i lartë, ndërkohë që njoftoi se javën e ardhshme do të prezantohet paketa e plotë prioritare në mbështetje të mësuesisë.

“Presim që vitin e ardhshëm akademik numri i studentëve të jetë më i lartë. Numri i regjistrimeve ka qenë shumë i ulët për shkak të mesatares. Për mësuesit ne jemi rigorozë për mësues duhet mesatarja 7.5 . Në këto programe duam t’i hapim dhe të marrim edhe profesione të tjerë. Po përmbyllim një paketë për të mbështetur programet e mësuesisë, si prioritare edhe me reduktim tarifash dhe mbështetje studentore. javën e ardhshme do ta kemi gati dhe do ta prezantojmë si paketë të plotë. Edhe një maturant me mesatare 6.5 mund të hyjë në programet e mësuesisë”.