Që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë 6 gazetarë të huaj…

Që nga dita kur filluan sulmet e Rusisë në Ukrainë kanë humbur jetën 6 gazetarë të huaj si pasojë e sulmeve ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).

Fushata e Emblemës së Shtypit (Press Emblem Campaign – PEC) me seli në Gjenevë e cila punon për të siguruar të drejtat ligjore dhe sigurinë e gazetarëve në botë, ka ndarë në faqen e saj të internetit raportin lidhur me gazetarët në rajonin e luftës Rusi-Ukrainë.

Sipas raportit, institucionet mediatike ukrainase kanë mbyllur zyrat e tyre në rajonet ku zhvillohen luftime intensive, ndërsa shumë punonjës të medias kanë filluar të blejnë kutitë e ndihmës së parë ose pajisje mbrojtëse për sigurinë e tyre.

– Humbën jetën 6 gazetarë të huaj

Në të gjithë Ukrainën punojnë rreth 3 mijë gazetarë të huaj ndërsa 6 nga këta gazetarë e kanë humbur jetën në sulmet ruse.

Në të njëjtat sulme janë plagosur 8 gazetarë të huaj, ndërsa 2 gazetarë janë rrëmbyer nga njësitë ruse.

Në raport nuk është ndarë informacioni lidhur me humbjet e jetëve të gazetarëve ukrainas gjatë luftës.

Krahas kësaj, është theksuar se hakerët rusë kanë kryer sulme kibernetike ndaj faqeve të internetit të medias ukrainase në datat 2, 3 dhe 17 mars.

Raketat ruse më 1, 2, 14 dhe 16 mars vendosën në objektivin e tyre kullat e televizioneve në 6 rajone të ndryshme të Ukrainës.

– Gazetarët kanë nevojë për pajisje të blinduara

Në raport paraqiten mendimet e Andrii Lanits, përfaqësuesit të PEC për Ukrainën, i cili tha se në rajonet ku gazetarët kryejnë punën e tyre ka probleme sigurie. “Gazetarët në Ukrainë kanë nevojë për pajisje të blinduara, për kasketa, radio marrëse dhe pajisje të ndihmës së parë”, tha ai.

Lanits potencon se dy gazetarë të huaj të rrëmbyer kryenin detyrën e tyre në rajonet që Rusia ka marrë nën kontroll në jug të Ukrainës.