Pse u dogj kaq shpejt pallati te “Farmacia 10”? ANALIZA TEKNIKE E PLOTË…

Shpërndaje

Zjarri në kompleksin “Farmacia 10” në Tiranë nuk ishte thjesht një incident fatkeq, por një dështim i parashikueshëm teknik i një sistemi fasade të ventiluar. Për të kuptuar dinamikën e tij, duhet të zbërthejmë elementët që veshnin strukturën dhe fizikën që bëri që flakët të ishin të pandalshme.

Përbërja e Sistemit të Fasadës së Ventiluar:
Sistemi i identifikuar në vendngjarje përbëhej nga kjo sekuencë (nga brenda-jashtë):

1) Termoizolimi: Lesh guri (me dendësi të ulët)
2) Fiksimi: Upa plastike për ankorimin e izolimit.
3) Hidroizolimi: Membranë traspirante sintetike.
4) Hapësira e ajrit: Kanal ventilimi 3-12 cm.
5) Veshja e jashtme: Panele kompozit alumini (ACM) me bërthamë polietileni (PE).2. Mekanizmi i “Efektit Oxhak” (Chimney Effect)

Analiza e Detajuar e Komponentëve:

  1. Termoizolimi: Lesh guri
    Leshi i gurit është një material mineral me pikë shkrirjeje mbi 1000°C, i klasifikuar si A1 (i padjegshëm).

Siç e shohim nga fotot pas zjarrit, ky është i vetmi komponent që i ka rezistuar flakës pa u asgjësuar. Megjithatë, integriteti i tij si barrierë varet drejtpërdrejt nga dendësia dhe qëndrueshmëria mekanike:

Konstatimi: Nga këqyrja e mbetjeve, materiali paraqet karakteristika të një leshi guri me dendësi të ulët (ndoshta në rangun 50-70 kg/m³). Ky lloj materiali, për shkak të shkrifërisë së tij, shpesh dëmtohet që në fazën e instalimit nga punëtorët (shtypje, grisje apo deformime gjatë fiksimit me upa).
Ky specifikim dendësie është i destinuar kryesisht për përdorim në mure të brendshme (si barrierë akustike/zëizolim), ku materiali nuk ekspozohet ndaj forcave të jashtme apo rrymave të ajrit.

Nevojat e Fasadës: Në fasadat e ventiluara, ku hapesira është 3-15m, këshillohet përdorimi i leshit të gurit me dendësi të lartë (mbi 100-120 kg/m³). Një densitet i tillë garanton që materiali të ruajë strukturën e tij të paprekur edhe nën efektin e rrymave të forta të ajrit dhe turbullencave termike të krijuara nga zjarri. Dendësia e lartë shërben si një “mburojë” e ngjeshur që nuk lejon gërryerjen e fibrave nga flaka dhe mbron më mirë pikat e ankorimit (upat).

  1. Fiksimi i izolimit: Upa plastike
    Këto janë elementët ankorues që mbajnë pllakat e izolimit të fiksuara pas murit të tullës.

Ky përfaqëson një nga “dështimet e heshtura” të sistemit. Siç konstatohet nga fotot, upat plastike kanë shkrirë plotësisht në fazat fillestare të rritjes së temperaturës. Sapo komponenti plastik humbet integritetin, izolimi humbet stabilitetin mekanik dhe shkëputet.

Konstatimi: Kjo krijon një kanal të dytë zjarri mbrapa leshit të gurit, duke lejuar që flakët të sulmojnë direkt strukturën. Këtë e dallojmë fare lehtë në pamjet ku sipërfaqe të tëra muri janë zhveshur: materiali nuk është djegur, por thjesht ka rënë sepse sistemi i fiksimit ka dështuar termikisht. Rregullat teknike kërkojnë upa me kunj metalik për të ruajtur ankorimin në temperatura ekstreme.

  1. Hidroizolimi: Membranë traspirante sintetike
    Kjo shtresë vendoset mbi izolimin termik për ta mbrojtur atë nga lagështia dhe depërtimi i ajrit (wind-shield), ndërsa lejon avullin e ujit të dalë nga brenda-jashtë.

Për të vërtetuar rrezikshmërinë e këtij komponenti, mjafton të krahasojmë dy zona të objektit. Në fotot e pjesës së padjegur të fasadës, membrana dallon qartë në gjendje normale si një shtresë e hollë mbrojtëse mbi leshin e gurit. Ndërsa në fotot e pjesës së djegur të fasadës, vërehet se kjo shtresë është zhdukur totalisht, duke lënë pas vetëm një cipë gri të karbonizuar mbi izolim.

Ky fakt vërteton se membrana e përdorur ka qenë sintetike dhe tejet e djegshme (Klasa E/F). Ajo funksionoi si një “fitil”, i cili e përcolli flakën me shpejtësi marramendëse mbi sipërfaqen e leshit të gurit. Kjo dinamikë i dha zjarrit mundësinë të “kërcejë” vertikalisht në pak sekonda drejt kateve superiore. Në ndërtesa të kësaj lartësie, kërkohet detyrimisht përdorimi i membranave që nuk përhapin flakën (Klasa A2 ose B)

  1. Hapësira e ajrit: Kanali i ventilimit (3-12 cm)
    Ky kanal është projektuar për eficiencë termike, por në mungesë të barrierave të zjarrit, ai shndërrohet në një akselerator fatal.

Ana Pozitive (Funksioni Arkitektonik): Gjatë verës, ajri i nxehtë ngjitet lart dhe evakuohet përmes konveksionit natyral, duke mbajtur murin e godinës të ftohtë. Gjatë dimrit, ky qarkullim largon lagështinë dhe mbron strukturën nga kondensimi, duke rritur jetëgjatësinë e materialeve.

Efekti Oxhak (Chimney Effect): Sapo zjarri depërton në këtë kanal, fizika e tij ndryshon rrënjësisht. Kanali thith oksigjen të freskët nga baza dhe e shtyn flakën lart me presion të lartë. Sipas studimeve të instituteve BRE Trust dhe VTT, flaka brenda këtij kanali mund të jetë 10 herë më e lartë sesa në një fasadë normale, me një shpejtësi përhapjeje deri në 8 metra për minutë. Kjo shpjegon pse zjarri u përhap në të gjithë lartësinë e godinës përpara se zjarrfikësit të kishin mundësi të ndërhynin.

  1. Veshja e jashtme: Panele kompozit alumini (ACM) me bërthamë polietileni (PE)
    Ky është elementi estetik i jashtëm, i cili shërben si “lëkura” e godinës, por që në këtë rast u shndërrua në lëndën djegëse kryesore.

Panelet e gjetura në vendngjarje vërtetojnë praninë e polietilenit (PE) si bërthamë midis dy fletëve të aluminit. Polietileni është një polimer tejet i djegshëm. Kur fleta e hollë e aluminit (vetëm 0.5 mm) shkrin në temperaturën 660°C, polietileni i brendshëm ekspozohet direkt ndaj flakëve.

Nga konstatimi i elementeve të djegur, vërejmë se paneli është shpërbërë plotësisht duke u ndarë nga pjesët metalike sapo bërthama PE është djegur. Në disa llamarina të rrëzuara në tokë, dallohen ende mbetje të vogla të polietilenit që nuk janë djegur plotësisht, çka vërteton përbërjen kimike të tyre. Ky material kthehet në një lëng të ndezur që pikon (gocciolamento), duke ushqyer zjarrin në dy drejtime: e ngjit flakën lart përmes gazrave dhe e përhap atë poshtë përmes pikimit të ndezur, duke krijuar vatra të reja zjarri në çdo kat poshtë tij.

Referenca dhe Standardet:
Raste të ngjashme katastrofike kanë ndodhur edhe në vende si Italia (p.sh. rasti i kullës “Torre dei Moro” në Milano), ku fasada ishte e veshur me të njëjtin material. Si pasojë e këtyre tragjedive, tregu ka ndryshuar rrënjësisht. Sot, nëse kërkon në treg panele ACM, pas simbolit PE (Polyethylene) kërkohet detyrimisht simboli FR (Fire Retardant) ose A2 (i padjegshëm). Prodhuesit kanë marrë masa duke shtuar komponentë mineralë në bërthamë që parandalojnë pikimin e ndezur dhe përhapjen e zjarrit, por në projektin “Arlis” duket se është përdorur versioni më ekonomik dhe më i rrezikshëm i këtij materiali.

  1. Infrastruktura Inxhinierike: Tubacionet e Shkarkimit
    Nga këqyrja e mbetjeve, janë identifikuar kapëse metalike vertikale që sugjerojnë kalimin e tubacioneve të shkarkimit direkt brenda kanalit të ventilimit.
    Problematika dhe Rregullat: Sipas standardeve ndërkombëtare, instalimet brenda kësaj hapësire duhet të jenë prej materiali jo-djegës ose plastikë me veti vetë-shuarëse. Çdo instalim vertikal duhet të pajiset me elementë bllokues (si kollarët intumeshentë) për të siguruar që, në rast zjarri, kalimi të mbyllet hermetikisht, duke parandaluar që tubacioni të shndërrohet në një kanal për tymin dhe flakët.
  2. Prova Munguese: Barrierat e Zjarrit (Cavity Barriers)
    Historia e sigurisë në fasadat e ventiluara është shkruar përmes tragjedive. Pas rasteve të para katastrofike në ndërtesa të larta (si rasti Grenfell në Londër apo Torre dei Moro në Milano), inxhinieria e mbrojtjes nga zjarri kuptoi se izolimi i thjeshtë nuk mjaftonte; duhej kontrolluar fizika e ajrit brenda “oxhakut” të fasadës.

Evolucioni i Masave Mbrojtëse
Ndaj rrezikut të përhapjes vertikale, normat teknike ndërkombëtare kanë evoluar drejt zgjidhjeve që kategorizohen në dy grupe kryesore:

Barrierat e mbyllura (Rigide): Ndarje fizike që e ndërpresin plotësisht kanalin e ajrit, por që shpesh penalizojnë ventilimin natyral të godinës.

Barrierat Intumeshente (Zgjidhja Moderne): Janë projektuar për t’u instaluar në mënyrë horizontale në çdo kat. Ato lejojnë qarkullimin e ajrit në kushte normale, por fryhen menjëherë nën veprimin e nxehtësisë (mbi 150°C), duke e mbyllur hermetikisht kanalin.

Standardet e Pozicionimit
Duhet theksuar se normat teknike sugjerojnë skema specifike instalimi që variojnë në varësi të lartësisë së objektit, dimensionit të hapësirës së ajrit dhe materialit izolues. Në varësi të këtyre faktorëve, llogaritet ndarja e fasadës në “sektorë zjarri”, duke aplikuar skema sugjeruese si horizontalisht (për të ndaluar ngjitjen e flakës) ashtu edhe vertikalisht (për të ndaluar përhapjen anësore drejt dritareve fqinje).

Konstatimi Përfundimtar pas analizes së detajuar:

Nga vëzhgimi i mbetjeve në terren, rezulton se te “Farmacia 10” këto elemente sigurie nuk kanë ekzistuar kurrë. Fakti që fasada është “zhveshur” nga baza deri në tarracë pa asnjë mbetje të profileve metalike horizontale, kllapave mbështetëse apo mbetjeve të materialit intumeshent mbi tullë, është prova materiale e një dështimi në projektim dhe zbatim.

Më tej, analizimi i pamjeve filmike të momentit të zjarrit na jep konfirmimin final: shpejtësia ekstreme me të cilën flakët evoluuan vertikalisht, duke “pushtuar” të gjithë lartësinë e godinës në kohë rekord, na bind se rruga e zjarrit brenda kanalit të ajrit ishte totalisht e lirë dhe pa asnjë pengesë teknike. Pa këto barriera, sistemi i ventiluar humbi funksionin mbrojtës dhe u shndërrua në një “transmetues” perfekt të flakës.

Shënim teknik: Kjo analizë bazohet në këqyrjen vizuale të mbetjeve në terren, analizën e pamjeve filmike dhe në njohuritë e mia profesionale mbi sistemet e fasadave të ventiluara. Megjithëse dinamika e zjarrit dhe sjellja e materialeve janë të qarta nga pikëpamja inxhinierike, përbërja ekzakte kimike dhe certifikimi i materialeve të përdorura mund të konfirmohen zyrtarisht vetëm pas analizave të specializuara laboratorike dhe ekspertizës ligjore nga organet kompetente.

Ndjese për këtë postim kaq të gjatë për formatet e Facebook-ut, por nëse keni arritur deri në këtë pikë, besoj se informacioni ia ka vlejtur. Besoj fort se informimi i drejtë i qytetarëve është rruga më solide për të përmirësuar këtë situatë alarmante ku ndodhemi.

Nëse e gjykoni këtë analizë me interes, ju ftoj ta shpërndani që informacioni të arrijë te sa më shumë persona.

Arkitekt Elis Baba

Shpërndaje