Promovohet në Shkodër libri që rikthen historinë e lirisë së besimit (1989–1990)…

Shpërndaje

Në ambientet e Bibliotekës së Shkodrës u mbajt një aktivitet promovues për librin “Lëvizja për rivendosjen e lirisë së besimit fetar në Shkodër 1989–1990”, me autor Bajram Xhafën. Botimi sjell një qasje të veçantë mbi periudhën kur Shkodra u bë qendra e parë që kërkoi hapur rikthimin e besimit pas ndalimit të gjatë komunist.

Gjatë paraqitjes, autori foli për frymën e librit dhe materialin historik që ka mbledhur, duke përfshirë dëshmi, ngjarje dhe momente kyçe të asaj kohe. Ai vuri në dukje rolin e qytetarëve, të rinjve dhe klerikëve që patën kurajon të hapnin një kapitull të ri shpirtëror në vitet ’89–’90.

Në këtë aktivitet, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, e quajti këtë periudhë një pikë kthese të rëndësishme për shoqërinë shqiptare, duke theksuar se rikthimi i lirisë së besimit në nëntor 1990 ishte mbi të gjitha një akt qytetar që çeli rrugë të reja drejt lirive themelore.

Veprimtaria u organizua në kuadër të 35-vjetorit të rikthimit të besimit dhe mblodhi studiues, klerikë dhe qytetarë të interesuar pas këtij kapitulli të rëndësishëm të historisë sonë.

Shpërndaje