Probleme me e-Albania, Edi Rama kërkon nga Policia e Shtetit që të mos vendosen gjoba

Gjatë një komunikimi në rrjetin e tij social facebook, Kryeministri Edi Rama ka pranuar se faqja e-Albania ka pasur probleme me aplikimin për lejen e daljes. Shumë qytetarë janë ankuar se nuk kanë mundur të aplikonin në portal dhe për këtë arsye janë detyruar të dalin për të kryer blerjet dhe nevojat e tyre pa autorizimin e nevojshëm.

Kryeministri Rama theksoi se do të ketë mirëkuptim për të gjithë për shkak të mosfunksionimit të sistemit, një problem ky i lidhur me kompanitë celulare, duke kërkuar nga Policia e Shtetit që sot dhe nesër të mos vendosin gjoba.

Qeveria shqiptare ka marrë masa drastike për të përballuar përhapjen e pandemisë globale të COVID-19. Të moshuarit me urdhër të qeverisë nuk janë lejuar të lëvizin, kurse pjesa tjetër e qytetarëve duhet të marrin leje të posaçme nga portali e-Albania.

Edhe kjo formë ka pasur probleme çka e detyroi shefin e qeverisë të komunikonte me qytetarët duke i kërkuar Policisë së Shtetit të mos aplikojë gjoba deri në funksionalizimin e sistemit.