Prej 9 muajsh dyshohej se u dogj në makinën e tij në Pukë, gjendet gjallë biznesmeni italian që ngriti në këmbë autoritetet e dy vendeve!

Merr fund misteri mbi zhdukjen në Shqipëri të biznesmenit italian Davide Pecorelli, e ndryshe nga çfarë dyshohej, ai është gjetur i gjallë në ishullin Elba në Toskana të Italisë. Automjeti që ai kishte marrë me qira u gjet i djegur në Pukë në janar të këtij viti, ku brenda ishte edhe një trup i djegur, por nuk u konfirmua se i përkiste Pecorellit. Ndërkohë ky i fundit u gjet mbrëmjen e djeshme në një gomone në det, ndërsa përgjatë këtyre 9 muajve që rezultonte i zhdukur, ai ishte strehuar në një hotel në ishull.


Pecorelli ka dhënë deklarimet në polici, e më pas u la i lirë, por nuk dihen ende arsyet se përse ai inskenoi të gjithë ngjarjen. Mësohet se ai kishte ndryshuar edhe pamjen e jashtme, në mënyrë që të mos identifikohej në Itali. Paraprakisht dyshohet se ai krijoi këtë skemë për  të fituar siguracionet.

Nga Shqipëria ai u largua në mënyrë ilegale nga Hani i Hotit për të shkuar më pas drejt Italisë, dhe në këtë skemë mashtrimi dyshohet se është ndihmuar edhe nga shqiptarë, kundrejt pagesës.

Biznesmeni italian, baba i 4 fëmijëve, është shprehur i gatshëm të japë dëshminë e tij në prokurorinë e Perugia, për të sqaruar të gjitha detajet e ngjarjes. Ndërkohë në Shqipëri dhe Itali tashmë janë pushuar hetimet për vrasje dhe Pecorelli do të hetohet për “Mashtrim”.

Mësohet se mbetjet kockore të gjetur në automjetin e djegur rezultojnë se janë mbetje kockore të në njeri, dhe dyshohet se janë marrë në një varrë të vjetër në zonë. Mbetjet e gjetura kockore  janë dërguar në Itali për t’u ekzaminuar.

Në fillim të këtij viti, makina që Pecorelli kishte marrë me qira në aeroportin e Tiranës u gjet i shkrumbuar në Pukë dhe brenda automjetit u gjetën edhe mbetjet kockore të një personi, si dhe sende personale të biznesmenit italian. Ngjarja u dyshua si kriminale dhe hetimet u përqendruan te një vrasje e mundshme, ndonëse nuk rezultonte se Pecorelli të kishte patur konflikte me njeri. Ai kishte biznese në Shqipëri ku tregtonte pajisje për sallone bukurie dhe ishte në një periudhë delikate sa i përket të ardhurave, megjithatë nuk kishte informacione se ishte në borxh. Pecorelli ishte martuar me shqiptare, me të cilën kishte edhe një fëmijë. Në Shqipëri për të sqaruar misteret që rrethonin këtë ngjarje erdhën edhe hetues italianë, por pa hedhur dritë. E ndërsa hetuesit punon për të zbuluar se kush e vrau biznesmenin italian në Shqipëri, ngjarjet morën kthesë tjetër mbrëmjen e 17 shtatorit, ku Pecorelli u gjet shëndoshë e mirë, teksa jetonte në një hotel në ishull.

9 muaj pa e parë të birin dhe me dhimbjen se mund të mos e takonte me kurrë, babai i Davide Pecorelli ka folur i emocionuar pasi lajmit se ai ishte gjallë. “Do ta përqafoj, por pastaj do t’i tërheq veshët”, ka thënë ai. 86-vjeçari Renato Pecorelli thotë se gjithnjë shpresonte se i biri mund të ishte gjallë, ndërsa lajmin e mirë ja dhe ish-bashkëshortja e Davide.  

“Unë po shpresoja që ai të ishte gjallë, edhe pse kishte kaluar një kohë e gjatë. Ajo menjëherë më tha se kishte folur me Davide -in tim dhe se ai ishte mirë, tani mezi po pres ta shoh përsëri, kështu ai do të më thotë çfarë ndodhi në ato anë. Unë do ta përqafoj fort, por pastaj do t’i tërheq veshët”, ka thënë ai.