Policia kap 1.3 ton kokainë, hyri nga Shkodra në kamionin me banane…

Rreth 1.3 ton kokainë është kapur nga policia maqedonase në fshatin Krushapek pranë Shkupit. Sipas medieve vendore policia vijon ende operacionin policor dhe po bëhen kontrolle në lidhje me trafikun e drogës.

Në aksionin policor marrin pjesë pjesëtarë të Policisë Financiare italiane.

“Informoj opinionin se Ministria për Punë të Brendshme në këtë moment ka ndërmarrë disa masa operative dhe aktivitete. Me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake po kryhen bastisje në fshatin Krushopek në afërsi të Shkupit, për tregti të paligjshme të drogës”, konfirmoi në facebook Ministri i Brendshëm, Naqe Çulev.

Sipas TV Alsat Maqedonia, ngarkesa kokainës është nisur nga Amerika Latine i fshehur në një kamion me banane, një skemë e përdorur disa herë edhe për trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë. 

Nga informacionet e para jozyrtare kamioni me banane ku u gjet droga ka hyrë dje në Shkodër nga Mali i Zi dhe ka dalë po dje nga dogana e Qafë Thanës për në Maqedoninë Veriore.

Deri tani policia ka arrestuar të paktën 3 vetë, 2 shoferë dhe 1 magazinier që punonin në magazinën e frutave ku u gjet edhe droga.

Raportet fillestare thonë se dërgesa mbërriti së pari nga Amerika në Bari të Italisë, më pas në  Mal të Zi, dhe më pas do të dërgohej në Bakër të Sllovenisë.

Për arsye të panjohura rruga është ndryshuar dhe dërgesa ka përfunduar në Krushopek.