PD bën gati dosjen për në KAS, kërkon përsëritje të votimit për 9 qarqe…

Partia Demokratike pritet të dorëzojë pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve kërkesën për shpallje të pavlefshme të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit për 9 qarqe në vend.

Dosja me provat ku bazohet ky ankimim do të dorëzohet të dielën nga ekspertët ligjorë të PD-së raporton gazetari i Euronews Albania, Renaldo Salianji. PD nuk ka pretendime për manipulim të votës për vetëm tre qarqet Shkodër, Dibër dhe Lezhë.

Ndërsa për 9 qarqet e tjera; Kukës, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë, PD kërkon që të ketë rivotim.

Sipas fakteve dhe provave që kandidatët e PD-së, numëruesit dhe vëzhguesit kanë mbledhur në terren mbi parregullsitë, mazhoranca ka përdorur asetet e shtetit për të manipuluar rezultatin e 25 prillit.

Kërkesa e PD-së nuk bën fjalë për hapje të kutive apo rinumërim të votave, po shpallje të pavlefshme të rezultatit për të 9 këto qarqe pasi sipas tyre provohet se procesi zgjedhor nuk ka qenë i drejt dhe vullneti është deformuar.

Ndër provat që PD do të paraqesë para KAS janë punësimet e fundit në administratë në tre muajt e fundit, dyfishimi i ndihmës ekonomike apo përdorimi i aseteve shtetërore në zgjedhje si dhe fakte të tjera si dhënia e dëmshpërblimeve për tërmetin 26 nëntorit të dhënë javën e fundit para zgjedhjeve.

Ankimimi i PD në KAS do të bëjë automatikisht që KQZ të shtyjë me të paktën 20 ditë shpalljen e rezultatit përfundimtar të rezultatit për zgjedhjet e 25 prillit.

Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar shpallje të pavlefshme të procesit të votimit vetëm për Qarkun e Gjirokastrës, qark në të cilin nuk arriti të siguroi asnjë mandat.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në rezultatin paraprak për 25 prillit i jep Partisë Socialiste 74 mandate, PD 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate.