
Nga Zejd Bushati
Shqipëria Evropiane apo Sudani i Evropës?
Ministria e Ekonomisë paraqiti të dhënat për tremujorin e parë të vitit, ku u tha se ekonomia shqiptare u rrit me 3,71%krahasuar me një vit më parë (një rritje që nuk shpaloset në realitetin e përditshëm shqiptar, ku varfëria vetëm rritet dhe emigrimi është i vetmi “shpëtim ekonomik”).
Po të shikosh të dhënat me vëmendje, do vëresh një kontradiktë që mund ta quaj qesharake.
Motorri i zhvillimit që ka sjellur këtë rritje ekonomike na qënka: sektori publik dhe sektori i ndërtimit. Le t’i marrim në shqyrtim:
— Sektori publik ku përfshihen administratën publike, arsimin dhe shëndetësinë, ka sjellë rritjen më të lartë me 1,68%. Paralelisht sektori privat (industria, energjia, bujqësia etj) ka pësuar rënie. Pra, në ekonominë tonë të “çuditshme”, sektori publik që mbahet nga privati, është kthyer në motorr zhvillimi ndërkohë kur sektori privat ka rënie të thellë. Fiks Shqipëri Evropiane!
—Tani sektori i ndërtimit:
Sipas një studimi të gjermanëve të GIZ, në Shqipëri në 3 vjet janë pastruar 1.6 miliardë € vetëm në ndërtim! Frika e eskpertëve është se do vijë një moment dhe do plasi flluska. Po të shikojmë edhe te Albanian Files që u publikua së fundmi, Shqipëria po trajtohet si “çifligu privat i disa bejlerëve”, ku ndërtimet nuk do “falin” as zonat e mbrojtura!
Pra ekonomia dhe rritja ekonomike bazohet në një sektor që e mbulon paraja e papastër.
Le të shohim ndikimin negativ që sjell ky pastrim parash, pasi dikush mund të thotë se i bën mirë ekonomisë.
- Paraja informale nuk është më pjesë e sistemit, por i gjithë sistemi.
- Paraja informale shkatërron biznesin e ndershëm dhe sjell një rritje çmimesh të papërballueshme.
3.Çmimet e banesave janë të pakapshme për masën e gjerë të qytetarëve.
4.Prurjet e mëdhaja të eurove të papastra, kanë forcuar monedhën vendase, duke minuar aftësinë e vendit për të eksportuar. Të dy sektorët që punësojnë mijëra vetë në Shqipëri: manifaktura dhe bujqësia, përballen me rënie progresive që nga viti 2022.
- Pushteti vendor (kryesisht Bashkia Tiranë) e ka pjesën dërrmuese të buxhetit të bazuar në taksën e ndikimit në infrastukturë.
- Përpos dëmeve ekonomike, kemi edhe dëmet shoqërore, pasi është shumë e vështirë të jetosh i qetë dhe punosh ndershëm, në nje vend që është lavatriçe e pastrimit të parave. Bërja palë me të keqen ose emigrimi mbeten të vetmet zgjidhje.
Po të shikosh me vëmendje, kjo ka vite që ndodh, që tregon se garancia që i ka dhënë pushteti, është guri i themelit për këtë pastrim. Sa më shumë të zgjasë kjo simbiozë, aq më fatale do jetë për vendin tonë ta marrë veten nga gjithë kjo para informale.
Fatkeqësi që në Shqipërinë gjithë këto vite e drejtojnë njerëz që nuk kanë asnjë plan ekonomik, nuk dinë si të thërrasin investitorë, nuk dinë si të ndihmojnë biznesin.
I vetmi plan i tyre është: Shit drogë- Merru me punë të pista-Pastro paratë në ndërtim.
Tani shtrojmë pyetjen: A jemi Shqipëri Evropiane apo Sudani i Evropës?




