Një i infektuar në pallat, fqinjët i ulërijnë 127-ës: Hajde merreni ose do ta zhdukim!

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka treguar presionin e madh në të cilin është vënë  Urgjenca në ditët e para të shpalljes së epidemisë në vend. “Ndër 12 mijë telefonata në ditë tek numri 127, gati 5 mijë ishin vetëm kërcënime”, – tha Brataj në një emision televiziv.

 “Qytetari ka ankthin dhe shqetësimin e vet, që e transmeton dhe në familje. Imagjinoni gjithë këto familje të drejtuara drejt personelit mjekësor 24 orë në 24 orë.

Kushdo që vjen, që ka një temperaturë 37 e gjysëm, është i bindur se ka COVID-19 dhe pretendon njësoj si ai që është në momentin që duhet ta intubosh, se nuk do të jetojë më. Unë, si personel mjekësor duhet të zgjedh prioritetin, po ju nuk e kuptoni, se jeta juaj është më e shtrenjtë se e tjetrit dhe nga presioni i dyanshëm, veç personit, edhe nga familjarët….Mendojeni se çfarë pëson një personel mjekësor.

Në 12 mijë thirrje, 5 mijë thirrje mund të ishin vetëm kërcënime në momentin e parë, – tregoi Brataj. – Se njerëzit nuk ishin të sëmurë, por donin tamponin që të ishin të sigurt në e kishin kaluar apo jo.

Njerëzit kishin marrë vesh që në pallatin e tyre ishte një I infektuar dhe… “Hajde merreni ose do ta zhdukim! O do t’ju zhdukim të gjithëve!”

Po, ku do ta çonim se?! Se infeksioni nuk do të hynte nga soleta apo nga tarraca në tarracë”, tha mjeku.