
Me qendër në Londër, ka nisur zyrtarisht veprimtarinë Fondacioni “Diaspora Shkodrane”, një iniciativë që synon bashkimin e shkodranëve kudo që jetojnë dhe mbështetjen konkrete të Shkodrës në fusha sociale, humanitare, mjedisore dhe sportive.
Fondacioni do të funksionojë mbi parimin e transparencës financiare, pa përfshirje politike, dhe në bashkëpunim me institucione lokale, shoqata serioze dhe komunitetin e biznesit. Ndër nismat kryesore përfshihen ndihma për familjet në nevojë, mbështetje për të moshuarit, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara, mbrojtja e mjedisit, si dhe përkrahja e ekipit të vajzave të futbollit Vllaznia.
Në kuadër të kësaj nisme, për muajin Janar është përzgjedhur “Zemra e Diasporës Shkodrane”, zonja Shpresa Drasati, si vlerësim për kontributin dhe vlerat njerëzore që përfaqëson.





