Nesër hiqet maska dhe ndryshon ora policore/ Policia e Shtetit paralajmëron qytetarët. Kthehen patentat e makinat e bllokuara gjatë pandemisë

Një ditë para hyrjes në fuqi të masave të reja për shkak të situatës nga koronavirusi, Policia e Shtetit i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë orën e re policore si dhe detyrimin për të vijuar mbajtjen e maskës në ambientet e mbyllura dhe në mjetet e transportit publik.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj në një deklaratë për mediat, i bëri thirrje gjithashtu edhe bizneseve në të gjithë vendin, që të respektojnë orën 22:00, kohë në të cilën do duhet të ndalojnë muzikën në lokalet dhe restorantet e tyre.

Ndërkohë që nga 1 qershori ora policore shtyhet në 23:00 të mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit, policia tha se të gjithë personat që duhet të lëvizni në orën e ndalimit të qarkullimit, duhet të pajisen me leje të posaçme nga e-Albania, ndryshe, do të vendosen gjoba.

Gjithashtu Dervishaj tha se të gjitha dënimet administrative të vendosura me pezullim të lejeve të drejtimit të pezulluara për një periudhë tre vjeçare apo të shoqëruara dhe me bllokim të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij, në zbatim të Aktit Normativ zëvendësohen me dënimin me masë administrative me gjobë, me pezullimin e lejes së drejtimit për 30 ditë dhe me masën administrative plotësuese të bllokimit të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij për një periudhë prej 30 ditësh.

Referuar nenit 2 të Aktit Normativ, masat administrative të vendosura nga autoritetet shtetërore, kryesisht Policia Rrugore, për heqjen e lejes së drejtimit apo masat e tjera të bllokimit të automjeteve apo lejes së qarkullimit, humbasin fuqi, nëse nga periudha e marrjes së masave është përmbushur afati prej 30 ditësh.

Njoftojmë qytetarët shqiptarë që kanë pasur një dënim administrativ të tillë që në zbatim të Aktit Normativ, të drejtohen në strukturat respektive të Policisë Rrugore (OASH), ku kanë marrë vendimin e dënimit administrativ për pezullimin e lejes së drejtimit apo bllokimin e mjetit, për të kryer procedurat përkatëse të tërheqjes së tyre, nëse kanë plotësuar afatin 30 ditor.

Deklarata e plotë:

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj, komunikim me mediat

Në zbatim të Aktit Normativ të Këshillit të Ministrave, nr. 23 datë 26.5.2021 “Për disa ndryshime në aktin normativ nr. 3 datë 15.3.2021 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së   periudhës   së   infeksionit   të   shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar dhe të Urdhrit të Ministrit të Brendshëm nr. 237 datë 27.05.2021 “Për caktimin e orarit të ndalimit të muzikës”;

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar aktet përkatëse me detyra për strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit.

Në zbatim të këtyre akteve, komunikojmë dy masa shumë të rëndësishme lehtësuese të marra në interes të qytetarëve shqiptarë dhe gjithashtu edhe të bizneseve:

Së pari, duke filluar nga data 1 qershor 2021 ora policore sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve do të jetë nga ora 23:00 deri 06:00, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Detyrimet gjatë orës kufizuese tashmë janë të njohura, megjithatë theksoj se kërkohet që të gjithë shtetasit që për arsye punë do të lëvizin përtej orës 23:00, të jenë të pajisur me leje nga e-Albania ose të kenë dokumentin që vërteton se është punonjës në një nga shërbimet kritike.

Gjithashtu duke filluar nga data 1 qershor 2021, orari i ndalimit të muzikës në çdo mjedis shërbimi referuar Aktit Normativ dhe urdhrit të Ministrit të Brendshëm, nr. 237 datë 27.05.2021,është përcaktuar ora 22:00.

Ftojmë të gjithë shtetasit që banojnë apo ushtrojnë aktivitet në territorin e Republikës së Shqipërisë që të zbatojnë orën policore, të mbajnë barrierat mbrojtëse (maskat) në ambientet e brendshme dhe mjetet e transportit publik, dhe sidomos të zbatojnë orën 22:00 për ndalimin e muzikës në çdo mjedis shërbimi.

Kujtojmë se për konstatimet që do të kenë strukturat policore në shkelje të këtyre akteve, ndaj kundërvajtësve do të aplikohen masat administrative.

Respektimi i këtyre masave tregon vullnetin tonë të përbashkët për të çuar deri në fund këtë luftë kundër pandemisë dhe ta fitojmë atë, ashtu sikurse kemi bërë deri më sot.

Së dyti, të gjitha dënimet administrative të vendosura me pezullim të lejeve të drejtimit  të pezulluara për  një  periudhë  trevjeçare apo të shoqëruara dhe me bllokim të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij, në zbatim të Aktit Normativ zëvendësohen me dënimin

me masë administrative me gjobë, me pezullimin e lejes së drejtimit për 30 ditë dhe me masën administrative plotësuese të bllokimit të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij për një periudhë prej 30 ditësh.

Referuar nenit 2 të Aktit Normativ, masat administrative të vendosura nga autoritetet shtetërore, kryesisht Policia Rrugore, për heqjen e lejes së drejtimit apo masat e tjera të bllokimit të automjeteve apo lejes së qarkullimit, humbasin fuqi, nëse nga periudha e marrjes së masave është përmbushur afati prej 30 ditësh.

Njoftojmë qytetarët shqiptarë që kanë pasur një dënim administrativ të tillë që në zbatim të Aktit Normativ, të drejtohen në strukturat respektive të Policisë Rrugore (OASH), ku kanë marrë vendimin e dënimit administrativ për pezullimin e lejes së drejtimit apo bllokimin e mjetit, për të kryer procedurat përkatëse të tërheqjes së tyre, nëse kanë plotësuar afatin 30 ditor.

Procedura është parashikuar e thjeshtë:

Strukturat e Policisë Rrugore, të cilat kanë marrë masë administrative plotësuese me karakter ndëshkues, si tërheqje/bllokim të lejeve të drejtimit/lejeve të qarkullimit dhe bllokim të mjeteve, në zbatim të pikës 1, neni 2 i Aktit Normativ referuar aktit normativ nr. 3 datë 15.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19, të ndryshuar”, i kthejnë me procesverbal subjektit përfitues lejet e drejtimit, lejet e qarkullimit dhe mjetet e bllokuara, duke filluar nga nesër dhe deri në datën 10 qershor 2021, për rastet që kanë plotësuar periudhën e dënimit prej një muaji nga data e konstatimit të shkeljes, referuar vendimeve të OASH-ve respektive.

Sqaroj se kjo masë e ndërmarrë, përfshin vetëm masat për heqjen e lejeve të drejtimit dhe masën plotësuese të bllokimit të mjetit vetëm për periudhën e pandemisë të marra neë zbatim të Aktit Normativ nr. 3 datë 15.03.2020 dhe jo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Me rastin e këtij komunikimi publik, njoftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë të tregohen të kujdesshëm në drejtimin e automjeteve në zbatim të kërkesave të Kodit Rrugor dhe të akteve në zbatim të tij, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.