
Në korridoret e ftohta të institucioneve, ku zëri shpesh humbet mes, hapave, zhurmave, fletëve, formularëve, dosjeve, firmave dhe akteve të vulosura, ka gra, të cilat nuk heshtin. Ato nuk janë vetëm profesioniste të ligjit; po qëndresa mes dhimbjes dhe shpresës; mes frikës dhe të vërtetës; mes drejtësisë dhe përballjes me sistemin. Janë avokatet që mbajnë mbi supe historitë e rënda të grave dhe vajzave të dhunuara, duke u përballur çdo ditë me errësirën njerëzore dhe degradimin që dhuna, gjeneron tek njeriu.
Puna e tyre nuk është thjesht një çështje e procedurave ligjore. Është një përballje e përditshme me plagë të hapura—plagë që nuk duken në akte dhe në dosje, por që jetojnë në sytë e viktimave, në duart, në e tyre. Në çdo seancë, në çdo kërkesë për urdhër mbrojtjeje; në cdo procedurë për zgjidhje martese, ato mbrojnë më shumë se një person: mbrojnë një zë që është heshtur, dinjitetin njerëzor. Përballë presioneve, kërcënimeve dhe paragjykimeve, roli i tyre shndërrohet në një mision që tejkalon profesionin, duke u bërë një shtyllë e domosdoshme e shtetit të së drejtës.
Për këtë arsye, mbrojtja e tyre nuk është thjesht garanci individuale, por një domosdoshmëri për funksionimin e drejtësisë në tërësi.
Por rruga drejt drejtësisë nuk është lineare. Burokracia shpesh shndërrohet në një labirint ku viktimat humbasin durimin dhe shpresën.
Dokumente që zvarriten, procedura që përsëriten, struktura që kërkojnë më shumë prova sesa ndjeshmëri. Në këtë realitet, avokatet bëhen jo vetëm përfaqësuese ligjore, por edhe përkthyese të dhimbjes në gjuhën e ligjit—një gjuhë që shpesh nuk është ndërtuar për të dëgjuar viktimat.
E megjithatë, sfidat nuk ndalen vetëm tek sistemi.
Në shumë raste, ato përballen drejtpërdrejt me presionin e dhunuesve: telefonata kërcënuese, tentativa për shantazh, përpjekje për intimidim. Është një luftë që tejkalon sallën e gjyqit dhe depërton në jetën personale të tyre. Shmë herë është një luftë që zhvillohet në mënyrë të elaboruar dhe të sofistikuar, përmes goditjeve të menduara profesionale. Sepse, për shkak të gjinisë; sepse avokatet që janë vetë gra, kanë mbrojtur gra të tjera. Dhe më lejoni t’jua them, të jesh avokate në këto raste kërkon më shumë se njohuri juridike—kërkon në radhë të parë, integritet, dhe guxim.
Ndërkohë, viktimat që ato mbrojnë shpesh përjetojnë një formë të dytë dhune, përpara institucioneve dhe vetë shoqërisë: atë të paragjykimit dhe stigmatizimit. Që nga familja, në komunitet, ato ndihen të gjykuara. Jo rrallë, nga konfrontimi nuk preket dhunuesi, por ndaj viktima. “Pse nuk u largove, pse nuk e le?”, “Çfarë bëre ti, për të kundërshtuar dhunën?” “Pse nuk e denoncove”? “Pse u ktheve prpë tek ai” ?
Këto janë plagët e padukshme shoqërore që rëndojnë procesin e drejtësisë.
Në këtë klimë “ujqërish”, vajzat dhe gratë avokate, bëhen mburojë—jo vetëm juridike, por edhe morale. Ato krijojnë një hapësirë ku viktima mund të flasë pa frikë, ku historia e saj nuk paragjyohet, nuk vihet në dyshim, por dëgjohet. Ky është një akt rezistence në vetvete.
Megjithatë, kjo punë shpesh mbetet e padukshme për publikun. Nuk ka tituj të mëdhenj për orët e gjata të përgatitjes, për netët pa gjumë, për betejat e humbura dhe ato të fituara me shumë mund. Por ndikimi i saj është i thellë dhe i qëndrueshëm. Çdo grua që arrin të dalë nga cikli i dhunës, çdo vajzë që gjen zërin e saj, është një dëshmi e kësaj pune. Një punë e mundimshme dhe e vështirë.
Ky është një realitet që kërkon reflektim shoqëror. Sepse drejtësia nuk është vetëm një vendim gjykate; është një proces që fillon me mënyrën si ne, si shoqëri, zgjedhim të dëgjojmë dhe të besojmë, dhë në momentin, kur vëmë në shënjestër, etiketojmë, fajësojmë, paragjykojmë, kërcënojmë, përdorim gjuhën e urrejtjes mbi viktimat dhe avokatet e tyre, ne, si shoqëri, duke stigmatizuar, kemi dështuar.
Avokatet, gratë dhe vajzat avokate, janë më shumë se profesioniste. Ato janë dëshmia e forcës njerëzore dhe mbrojtëse e saj. Dhe nuk janë pak. Në një botë ku dhuna përpiqet të imponojë heshtjen, ato zgjedhin të flasin, aty ku meritojnë të dëgjohen. Dhe kjo, ndoshta, është forma më e lartë e drejtësisë.
Qëndrimet e artikuluara të Shqipërisë, vitet e fundit përpara Këshillit të Europës janë një domosdoshmëri institucionale dhe një thirrje e qartë për drejtësi me fytyrë njerëzore. Në thelb të tyre qëndron nevoja që viktimat e dhunës me bazë gjinore të mos mbeten më zëra të heshtur në procedura formale, por të trajtohen si qendra e sistemit – me mbrojtje të menjëhershme, me dinjitet të pacenueshëm dhe me një drejtësi që i dëgjon pa i paragjykuar.
Në frymën e Konventës së Stambollit dhe standardeve të saj monitoruese, kërkohet një sistem që jo vetëm reagon, por edhe parandalon, që jo vetëm ndëshkon, por edhe mbron, rehabiliton.
Ndryshimet ligjore dhe rekomandimet që burojnë nga këto struktura synojnë të ndërtojnë një kornizë më të fortë dhe më të ndjeshme ndaj realitetit të dhunës: duke njohur format e saj të padukshme – psikologjike, ekonomike, dixhitale – dhe duke garantuar që mbrojtja të mos mbetet në letër, por të marrë formë konkrete në jetën e përditshme të viktimave.
Në këtë rrugëtim, një vend i veçantë i takon avokateve që mbrojnë këto gra dhe vajza, të cilat shpesh përballen me presion, paragjykim e kërcënime. Mbrojtja e tyre nuk është vetëm çështje profesionale, por një dëshmi e drejtpërdrejtë e forcës së shtetit të së drejtës.
Këto rekomandime lindin nga vetë zemra e mekanizmave të Këshilli i Europës dhe mbartin një urgjencë që nuk pret axhenda: ato kërkojnë zbatim të menjëhershëm dhe të sinqertë nga shtetet anëtare, përfshirë Shqipërinë. Sidomos, sot kur fjala femicid nuk është një koncept i largët, por një realitet që troket pranë nesh, dhe çdo vonesë në veprim bëhet e pajustifikueshme; kur viktimat po rrezikohen, po vriten, po vetvriten.
Disa hapa janë hedhur, por sfida e vërtetë mbetet zbatimi i tyre i plotë në praktikë – aty ku ligji takon jetën reale. Sepse drejtësia, në fund, nuk matet me fjalë, por me sigurinë që ndjen një viktimë kur vendos të flasë, por edhe cdo profesionit që ka marrë përsipër mbrojtjen, mirëqënien dhe sigurinë e saj, mbështetur në atë që parashikon ligji.
Autore: Avokate Edlira Bylo




