
Policia e Elbasanit ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen dhe sigurinë gjatë ndeshjes mes AF Elbasani dhe Vllaznia, e cila do të luhet sot në orën 19:00 në Elbasan Arena.
Në kuadër të këtij plani, qarkullimi i automjeteve do të kufizohet në zonën përreth stadiumit, ndërsa lëvizja do të lejohet vetëm për mjetet e pajisura me autorizim të posaçëm dhe me targa të deklaruara.
Autoritetet do të shoqërojnë tifozët sipas itinerareve të përcaktuara dhe nuk do të tolerojnë devijime apo grumbullime jashtë këtyre rrugëve.
Para hyrjes në stadium do të kryhen kontrolle të imtësishme për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara, si objekte të forta, mjete piroteknike, bidonë uji, çadra apo sende metalike. Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi, ndërsa hyrja nuk do të lejohet për personat pa dokument.
Po ashtu, të miturit do të mund të hyjnë vetëm nëse shoqërohen nga prindi ose kujdestari ligjor, ndërsa personat e identifikuar më parë si problematikë në aktivitete sportive nuk do të lejohen të futen në stadium.




