Ndërroi jetë në burgun e Peqinit, familjarët bëjnë deklaratën e fortë: Mund ta kenë…

Ka ndërruar jetë në burgun e Peqinit, Andon Mëhillaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, anëtar i bandës së vrasësit me pagesë Julian Sinanaj.

Janë familjarët e Mëhillajt ata që kanë publikuar lajmin për vdekjen e tij, duke ngritur dyshime se mund ta kenë helmuar. Andon Mëhillaj, i cili në rrethana ende të paqarta u gjet i pajetë në burgun e Peqinit, ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për një serë veprash penale.

Në 2014 ai u vetëdorëzua në policinë e Vlorës, pasi ishte shpallur në kërkim si pjesë e kësaj bande famëkeqe, pas të cilës fshihen disa vrasje dhe jo vetëm.

Mëhillaj u akuzua se ishte sekseri që ndërmjetësonte ‘pazaret’ mes biznesmenëve dhe Julian Sinanajt, duke bërë rolin e negociatatorit. Po ashtu pjesë e bandës ishte dhe kushëriri i tij, Genis Mëhillaj, i cili figuronte në faqen e Interpolit si person në kërkim për “Akte terroriste” dhe “Financim të terrorizmit”. Ata shpërbleheshin me 20-30 mijë euro për “punën” e tyre.

I kontaktuar nga Top Channel, drejtori i burgut të Peqinit bën me dije se Mëhillaj ishte në gjendje të rënduar shëndetësore. Gjatë orëve të darkës të së dielës është dërguar në spitalin e Peqinit ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, por nuk ka mundur të shpëtojë. Trupi është dërguar në morgun e Tiranës, ku do t’i nënshtrohet autopsisë për të verifikuar shkaqet e vdekjes.