Muzeu, krenaria e gjimnazit “28 Nëntori”/ Synohet që në të ardhmen muzeu të jetë i vizitueshëm nga të gjithë…

Gjimnazi “28 Nëntori” është një nga emblemat e Shkodrës dhe më gjerë përsa i përket vlerave që përfaqëson në arsimin shqiptar. Përpara pak kohësh ky gjimnaz festoi edhe 100-vjetorin e krijimit të tij përmes një ceremonie festive ndërsa ai është nderuar edhe me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Në fakt janë shumë arsye për t’u krenuar me këtë institucion të arsimit dhe një prej tyre është edhe muzeu i shkollës, i krijuar me kontributin e nxënësve dhe mësuesve e në veçanti të atyre të lëndës së Historisë.

Hapat e parë për krijimin e muzeut të shkollës janë bërë përpara 10 viteve ndërsa pjesë e muzeut janë fotografi të shkollës së bashku me drejtuesit e saj që nga viti 1922 apo të nxënësve në çaste të ndryshme nga veprimtaritë e shkollës, himni i gjimnazit i shkruar nga Ernest Koliqi, çertifikata dhe diploma me vlerësime nga pjesëmarrja në olimpiada në rang kombëtar, medalje nderi nga nxënësit e dalluar etj. ndërsa spikat edhe medalja me titullin “Nderi i Kombit”.

Ajo çfarë e bën më të veçantë gjimnazin “28 Nëntori” është se në të kanë studiuar deri në 4 breza nga një rrënjë e njëjtë familjare. Edhe nxënësit janë vazhdimisht të interesuar për muzeun e gjimnazit dhe në sytë e tyre dallohet lehtësisht krenaria që kanë për këtë aset të shkollës.Albana Bushati, drejtuesja e shkollës nuk e fsheh dëshirën që ky muze të jetë i vizitueshëm nga të gjithë.

Gjimnazi “28 Nëntori” është themeluar me VKM të datës 11 gusht 1922 dhe ai përbën gjimnazin e parë laik të qytetit ndërsa fillimisht nisën mësimin 37 nxënës me katër mësues për t’u rritur në vitet që do të pasonin.