“Mundëm kampionët”, Xhaferi: Mos mendoni titullin, të jemi me këmbë në tokë…

Vllaznia fitoi 1-2 në transfertë me Tiranën për javën e tretë të Superligës. Goli i Herald Markut nga pika e bardhë e 11 metrave zhbllokoi duelin (min 22), ndërsa Kaina do dërgonte kuqeblutë në fundin e 45 minutave në epërsinë e dy golave në “Selman Stërmasi”.

Goli i Xhixhës në fillimin e pjesës së dytë e bëri duelin më interesant, me kampionët e vendit që dalin pa pikë në një stadium që ishte mbushur në 60 përqind të kapacitetit.

Pas ndeshjes, për këtë sukses presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi foli për mediet, duke thënë se ekipi i tij bëri ndeshje të mirë por nuk duhet të kënaqet.

“Mendoj se skuadra bëri një lojë shumë të mirë dhe e meritoi plotësisht fitoren. Sigurisht që fitorja këtu në Tiranë të gëzon edhe më shumë për shkak të rrethanave të situatave të sezonit të kaluar. Por mendoj se duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të ecim në këtë rrugë dhe të bëjmë gjëra të bukura.

Jam i kënaqur por sigurisht ndoshta në momente të caktuara mund të bëjmë më mirë. Nuk duhet të jemi të kënaqur, duhet të përmirësohemi, por në fund duhet të jemi të lumtur që morëm rezultat pozitiv.

Tifozët? Duhet t’i falënderoj se pa ata nuk ekzistojmë, thjesht të na mbështesin sa më shumë.

A vlen shumë kjo fitore? Sigurisht, bëhet fjalë për një rival direkt e kampion në sezonin e kaluar. Vlen por është fillimi dhe gjithçka ka kohën e duhur. Kampionati është i gjatë, ka shumë surpriza dhe shpresoj të vazhdojë kështu.

Mendoj se skuadra mund të bënte më shumë dhe ndoshta një gabim i Markut nuk duhej se ishim 2-0 dhe ishim dominues. Janë momente që duhet të mësohen dhe përmirësohen në vijim.

Futbolli nuk ka mëshirë dhe nuk është fjala e duhur por mendoj se luajtëm për të fituar dhe nuk është se i lamë gjë mangut në këtë pjesë.

Për titull? Është shumë herët, kemi kampionat boll dhe duhet të jemi plotësisht me këmbë në tokë”, tha Xhaferi.