Minifazë në Ohër, zbulohen miqësoret qe do zhvillojë Vllaznia

Vllaznia do të qëndrojë për afro 12 ditë në Ohër të Maqedonisë në muajin janar. Gazeta Panorama Sport mëson se klubi kuqeblu dhe trajneri Mirsad Jonuz, pasi kanë parë kushtet në qytetin turistik, kanë vendosur ta zhvendosin skuadrën në Maqedoninë e Veriut pas datës 5 janar.

Në fakt, nuk është se koha në dispozicion premton, pasi më 22 janar skuadra duhet të zbresë në fushë për të luajtur javën e 18-të të kampionatit. Megjithatë, për 12 ditë shkodranët do të bëjnë një minifazë në Ohër, aty ku pritet të luajnë edhe tri ndeshje miqësore.

Deri më tani nga bisedimet që kanë bërë zyrtarët e klubit shkodran, kanë gjetur akordin për zhvillimin e një ndeshjeje me Bylisin dhe Pogradecin gjatë qëndrimit në shtetin fqinj.

Gjithashtu do të luhet edhe një miqësore me skuadrën që përfaqëson qytetin e Ohrit në kampionatin maqedonas. Këto ndeshje do t’i shërbejnë trajnerit Mirsad Jonuz për të parë më mirë gjendjen e lojtarëve, si dhe për t’u bërë gati për rifillimin e kampionatit. Kuqeblutë luajnë më 22 janar ndaj Flamurtarit.