“Migjeni” në skenë pa spektator…

Teatrot janë ende të ndaluar për artdashësit, ndaj aktorët e Teatrit “Migjeni” premierën më të re e ngjitën në skenë pa publik. Vepra “Kutia e zezë” që trajton varësinë e shoqërisë ndaj teknologjisë do të rikthehet sërish sapo koronavirusi të lejojë që shtëpitë e artit të hapin dyert sërish.

Aktorët e “Migjenit” u ngjitën në skenë, por publiku përballë i mungoi!

“Kutia e zezë” apo “Perfect Strangers” e Paolo Genovese erdhi në regjinë e Fatos Berishës, i cili e ka përpunuar veprën në përshtatje edhe me realitetin që po jetojmë.

Fatos Berisha, regjisor: ”Fenomeneve që po na rrethojnë, përfshirë edhe pandeminë e shumë gjëra të tjera.”

Jo rastësisht kanë zgjedhur që veprën ta punojnë në këtë periudhë dhe ta finalizojnë me një shfaqje të tillë në kohën e ndalimeve të pandemisë.

Drejtoresha e teatrit Rita Gjeka, njëherësh aktore në këtë pjesë, tregon se qëllimi është që menjëherë pas rihapjes të kenë gati diçka të re për publikun.

Rita Gjeka, drejtoreshe e teatrit “Migjeni”: ”Fakti që nuk mund të bëhen jashtë, do t’i ndryjmë dhe do t’i japim në momentin që të jetë e mundur, kur të na thotë qeveria.”

Pandemia i ka dhënë goditje edhe artit, ndaj regjisori Berisha ka nisur një peticion ku kërkohet mbështetje.

Fatos Berisha, regjisor: ”Fatkeqësisht po harrohet shumë shpejt se kush e mbajti gjallë shpirtin e njerëzve gjatë pandemisë.”

Aktori Simon Shkreli e cilëson të rëndësishme këtë vepër, duke patur parasysh kohën në të cilën u punua dhe mesazhin që ajo përcjell.

Simon Shkreli, aktor: ”Pandemia ka ndikuar që edhe ne të ngarkohemi emocionalisht, për shkak të kësaj situate të pazakontë që po kalojmë edhe tani.”

“Kutia e zezë” simbolizon celularin, pra teknologjia e cila në një mënyrë po na e kontrollon jetën tonë.