“Me këtë ekip Vllaznia kap Europën”, Krymi: Nëse afrohet edhe një qendërsulmues cilësor, jemi gati

Te Vllaznia janë shtuar pretendimet. Tomas Brdariç në stol dhe 14 afrimet e bëra kanë shtuar “oreksin” në Shkodër. Nëse vjet diskutuan mbijetesën, këtë vit duan zonën “Euro”. Ardit Krymi mendon se skuadra i ka që të gjitha shanset që t’ia dalë, pasi është ndërtuar për këtë qëllim.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori pohon se ka domosdoshmëri edhe për një sulmues cilësor dhe paralajmëron se me trajnerin gjerman do të jenë më solidë.

Vllaznia është riformatuar nga porta në sulm. Si duket kjo skuadër, krahasuar me atë të sezonit të fundit?

E vërtetë, kemi pësuar shumë ndryshime. Çdo lëvizje kam përshtypjen është e mirëmenduar. Skuadra është ndërtuar me kujdes dhe ky do të jetë një ogur i mirë për sezonin që presim të startojë.

Nuk mendoni se kaq shumë ndryshime, mund të ndikojnë për keq në ekip?

Çdo ndryshim bëhet vetëm për mirë. Unë besoj se do të na ecë mbarë dhe do të jemi një skuadër pretendente.

Thoni që do të jeni pretendentë, por më konkretisht çfarë objektivash ju ka vendosur klubi?

Me stërvitjen që po bëjmë, mundësitë janë për më lart. Kemi bërë një fazë përgatitore të mirë dhe besoj se do kemi shanse për Europë.

Vërtet besoni se ky do të jetë viti i Vllaznisë?

Patjetër. Do të bëjmë çmos që ta rikthejmë Vllazninë në Kupat e Europës. Është një objektiv tërësisht i arritshëm.

Janë bërë 14 afrime dhe nuk janë pak në numër. Mendon Krymi se ka ende nevojë për përforcime kjo skuadër?

Drejtuesit së bashku me trajnerin janë munduar që të bëjnë më të mirën për të forcuar ekipin dhe shtuar cilësinë. Besoj se edhe me një sulmues cilësor, do të jemi gati.

Është thënë se Tomas Brdariç ka sjellë shumë risi në stërvitje, mund të na zbuloni ndonjë konkretisht?

Trajneri ka sjellë shumë ndryshime në lojën në grup, edhe sulm të shpejtë. Ne jemi një ekip solid dhe kjo do të sjellë suksesin.

Kategoria Superiore vazhdon bojkotin dhe nuk dihet se kur do të startojë zyrtarisht sezoni 2020-2021.  A po ju penalizon kjo shtyrje?

Një lloj ndikimi e ka, pasi nuk e dimë as kur fillon dhe nuk është gjë e mirë. E megjithatë, do shfrytëzojmë çdo ditë që do të kemi në dispozicion për të arritur formën optimale dhe qenë 100% gati për të zbritur në fushë. Ne jemi duke punuar shumë në stërvitje për të arritur aty ku duam.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL