Me “C4” drejt Shkodrës, të arrestuarit: Do bënim shpërthime në…

Gjykata e Lezhës la në burg dy përsonat e arrestuar mbrëmjen e së martës me 30 kallëpe me lëndë eksplozive C4, 17 kapsolla detonatore dhe 2 aparatë celularë të lidhur me përcjellës elektrik, gati për t’u montuar me mina me telekomandë. Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, Agron Manuka dhe Imer Losha kanë mohuar që minat të cilëve iu gjetën në makinë janë për t’ua dhënë grupeve kriminale. Manuka ka argumentuar se ato mina i duhen për shpërthimet në minierë ku dhe ai punon në Martanesh, e ndërsa Losha është shprehur se ai është thjesht taksist dhe se nuk kishte dijeni.

Por pavarësisht pretendimeve të tyre, gjyqtari Ilir Përdeda pranoi kërkesen e prokurorit Ylli Pjeternikaj dhe vendosi masën e sigurisë arrest me burg pa afat për dy të ndaluarit. Agron Manuka, 42 vjeç, banues në Durrës dhe Imer Losha, 46 vjeç banues në Dibër, u ndaluan nga policia në rrugën e vjetër Milot-Lezhë, ndërsa po udhëtonin drejt Shkodrës.

Policia kishte marrë informacion në rrugë operative për lëvizjen e eksplozivit në drejtim të Shkodrës, ndaj i ka mbajtur personat e dyshuar për disa ditë nën vëzhgim. Dyshimet janë se lënda shpërthyese do u dërgohej grupeve kriminanane në Shkodër, ndërsa vijojnë hetimet për zbulimin e përsonave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.