Licensa UEFA B për zonën e veriut, diplomohen kursantët në Shkodër

Sektori i Edukimit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ka përfunduar kursin UEFA B, që u zhvillua për herë të parë, në qytetin e Shkodrës, për të gjithë zonën e veriut të Shqipërisë.

Në stacionin e radhës është mbyllur me sukses kursi numër 32 për licensën UEFA B. Shkolla e trajnerëve, pranë FSHF ka fillesat e saj që prej vitit 2004, kur u bë i mundur edhe unifikimi i liçensës së UEFA-s, për Shqipërinë si vend anëtar që i plotëson të gjitha kriteret dhe realizon programet sipas standarteve të vendosura nga qeveria evropiane e futbollit. Vlen të përmëndet se në të gjitha nivelet e kurseve, që ndiqen në këtë shkollë, marrin pjesë lektorët më në zë të botës së trajningut, si: Zakeroni, Ulivieri, Ferrarra, Ferreto etj.

Monitorimi i UEFA-s dhe faza e diplomimit si në rastin e fundit të kursit UEFA Pro, u ndoq nga profesorat më në zë, siç është drejtori teknik i Hollandës Jelles Goes. E gjithashtu kursantët performuan në Nion të Zvicrës, në fushën e blertë në rolin e trajnerit nën vëzhgimin e specialistëve të UEFA-s.

Çdo 3 vite, vijnë monitorues nga UEFA, në mënyrë që të ndjekin programin dhe implementimin që kryen FSHF dhe sektori i Edukimit, për secilin kurs për 80 orë me radhë, siç ishte rasti i fundit i diplomës, UEFA Pro.