Ky është qarku pa asnjë vrasje në 2021…

Drejtoria Vendore e Policisë Berat zhvilloi sot, analizën vjetore të punës së strukturave të saj. Në analizë morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, prefektja e qarkut Berat Valbona Zylyftari, prokurori i Rrethit Gjyqësor Berat Dritan Gripshi dhe përfaqësues të institucioneve të tjera ligjzbatuese që operojnë në qarkun e Beratit.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori vendor i Policisë Berat Edmond Tarkaj ka theksuar se qarku Berat, për vitin 2021, radhitet në qarqet pa asnjë krim të rëndë, pra pa asnjë vrasje, me shifra shumë të ulëta krahasuar me çdo vit tjetër, të kultivimit të bimëve narkotike, me parandalim të krimeve mjedisore dhe me realizim në nivel shumë të kënaqshëm të të gjitha prioriteteve që ka Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe rrjedhimisht Drejtoria Vendore e Policisë.

Më tej, prefektja e qarkut Berat Valbona Zylyftari ka vlerësuar punën dhe rezultatet e arritura nga Drejtoria Vendore.

Po kështu, edhe prokurori i Rrethit Gjyqësor Dritan Gripshi ka theksuar se midis Policisë dhe Prokurorisë ka një marrëdhënie besimi dhe bashkëpunim shumë të mirë, gjë së sjell më shumë siguri dhe rend dhe parandalimin më të mirë të krimit.

Më pas, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano ka theksuar në fjalën e tij, se jo pa qëllim ka zgjedhur DVP Berat, për të nisur analizat, sepse është një nga qarqet në të cilin gjatë vitit 2021 nuk është regjistruar asnjë krim i rëndë kundër jetës dhe pronës.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, gjatë analizës vjetore të punës së bërë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

“Më vjen mirë që dëgjoj vlerësime pozitive, lidhur me rezultatet e punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Berat. Shifrat flasin qartë, flasin vetë. Ashtu siç u përmend edhe nga Drejtori i Policisë, fakti që nuk ka ndodhur asnjë vrasje, ka të bëjë me forcën parandaluese të kësaj policie, lidhur me këto vepra të rënda penale, të cilat janë një indikator shumë domethënës në sigurinë publike të të gjithë qytetarëve dhe për këtë vlen të përgëzohet gjithë stafi i drejtorisë tuaj.

Po kështu, dhe rezultatet në drejtim të ndjekjes, parandalimit apo dhe dokumentimit të veprave të tjera penale, janë të mira. Bashkëpunimi, siç edhe u përmend, është në nivele më të larta, dhe mua për këtë më vjen mirë. Ajo që ne duhet të synojmë gjatë vitit 2022, pa harruar të rezultatet e mira që kemi patur gjatë vitit 2021, në qarkun e Beratit, është të rrisim forcën parandaluese, forcën goditëse ndaj krimit në të gjitha fushat dhe tipologjitë e krimeve që ka qarku problematikë, duke rritur kështu dhe besimin me qytetarët, të cilët janë aleati ynë dhe nuk janë sot në këtë sallë.

Jam shumë i bindur që Drejtoria Vendore e Policisë Berat do të vazhdojë dhe do të ketë rezultate shumë të ardhmen dhe ashtu siç në të vërtetë është një qytet muze Berati, ashtu do të jetë një qytet muze apo t’i reflektojë këto vlera dhe në raport me sigurinë dhe rendin në qytet, jo vetëm për qytetarët e Beratit, por për të gjithë turistët që vijnë dhe vizitojnë të gjithë qarkun, jo vetëm qytetin.

Kështu që, unë edhe një herë ju përgëzoj të gjithëve ju, sepse e gjithë puna është bërë nga ju, nga stafi juaj, dhe këto falënderime i shkojnë edhe stafit me të cilët ju punoni. Ju inkurajoj që të punoni akoma më shumë, për rritjen e rezultateve, pasi nuk mund të vetëkënaqeni me ato që kemi arritur deri më tani, por duhet të synojmë edhe të kërkojmë akoma më shume tek vetja në fillim dhe pastaj tek partnerët apo institucionet e tjera ligjzbatuese apo të inteligjencës me të cilët ne bashkëpunojmë, për t’ia arritur qëllimit tonë”.