Kryetari i ‘Dardanëve’: Nëse do t’i kishim dy mijë bileta do të dominonim në Çeki, në Sofje kemi pasur provokime dhe sharje!

Kryetari i tifo-grupit të Përfaqësueses së Kosovës “Dardanët”, Lulzim Berisha dhe njëri prej themeluesve të këtij grupi Fatos Berisha janë të ftuarit e sotëm në emisionin ‘Rock n’Roll Football’, emision i cili transmetohet në Radio Prishtina dhe TV Zëri.

Rreth 600 bileta janë alokuar nga Federata çeke për tifozët e Kosovës për ndeshjen e së enjtes ndaj Republikës së Çekisë.

Kurse, ndeshja në fjalë nga UEFA konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, por që përkrahja nga ana e tifozëve nga Kosova nuk do të mungojë as në Plzen.

Kryetari Lulzim Berisha duke folur për ndeshjen e së enjtes, ka përmendur edhe një rast interesant në Sofje.

“Fatkeqësisht kemi vetëm 627 bileta në dispozicion, nëse do t’i kishim 2000 apo 3000 bileta, do të dominonim çekët në Plzen”, ka thënë fillimisht Berisha në ‘Rock n’Roll Football’.

“Edhe në Sofje kemi pasur provokime dhe sharje nga bullgarët, por që i kemi injoruar dhe në fund kemi fituar”, tregoi më tej ‘Luli’.

“Gjithashtu, edhe në Angli, Ishujt Faroe dhe Maltë kemi qenë prezent dhe kemi qenë më të zëshëm”, shtoi më tej Lulzim Berisha.