Kopshti i familjes Jubani në Shkodër të uron mirëseardhjen mes luleve shumëngjyrëshe…

Kopshti i familjes Jubani 💐🌺 të uron mirëseardhjen mes luleve shumëngjyrëshe dhe aromave të trëndafilit, karafilave, mandarinës, luleduhanit, luleborës, jaseminit e zymbylave.

Banesa e familjes Jubani, ndodhet tek rruga e ‘Gurazezve’; një vilë e kandshme 100 vjeçare, e ndërtuar sipas një projekti italian nga Zef Prendushi. Një numër i madh ngjyrash e formash të një koleksioni natyror të mbi 50 lloje bimësh e lulesh🌸💐🌺🌷në kopsht, në vazo, në shkallare, në ballkon dhe brenda në shtëpi mbartin të bukur vazhdimësinë e traditës qytetare shkodrane dhe historinë e ‘rrënjve’ si ato të lules, si një binom i pandarë për familjen.

Oborri i familjes Jubani, për vite me radhë është mbajtur dhe dekoruar me kujdes nga i ndjeri Viktor Jubani dhe gruaja e tij znj. Ingrid Zyma (Jubani). Plot pasion këto dy qytetarë ditën ta ushqenin e ndanin me komshinjtë ndër vite po ashtu edhe me shumë miq e turistë, dashurinë e tyre të veçantë për lulet të cilët kur shikonin këtë oaz të gjelbër në mes të një historie urbanistike e qytetarie, mbeteshin të mahnitur. Në interierin e banesës ka plot kujtime të veçanta që lidhen me traditën e bukur të kujdesit për lulet. Në çdo cep të shtëpisë syri të rrok bocete, skica, kompozime e fotografi mbresëlënëse me motive floreale që mbajnë emrin e piktores së njohur Higmet Zyma, mamaja e Ingridit e cila lulet i qendisi me art në pikturat e saj që kanë mbetur pjesë arkivore e kësaj shtëpie të vjetër e plot sharm në rrugën e Gurazezve.

Viktor Jubani ishte një sportist shqiptar. Ka lindur në prill të vitit 1943 në qytetin e Shkodrës, në një familje të vjetër shkodrane. Që nga rinia e hershme është aktivizuar si volejbollist në ekipe të ndryshme të Shkodrës, Studentit, Dinamos dhe pjesëtar i ekipit kombëtar të volejbollit, në momentet më të lavdishme të volejbollit shqiptar.

Ky kopsht shumë ngjyrësh mikpriti shumë artistë e njerëz të shquar, mes tyre artisten e mirënjohur Lumturi Blloshmi e cila i ka dedikuar edhe një vepër të sajën këtij oborri.

(Marrë nga faqja DRTK Shkodër)