Konferencë shkencore në UNISHK: “Intelektuali – arti konkret i shpirtit”…

Shpërndaje

Në ambientet e Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua sot Konferenca Shkencore me temë “Intelektuali – arti konkret i shpirtit”, një aktivitet akademik dhe kulturor që solli në vëmendje rolin e intelektualit, artit dhe dimensionit shpirtëror në shoqërinë bashkëkohore.

Konferenca u mbajt në Sallën “Walter Höflechner” dhe u hap me fjalën përshëndetëse të Rektorit Gjuraj, i cili theksoi rëndësinë e universitetit si hapësirë e dijes, kulturës dhe përgjegjësisë shoqërore, si dhe nevojën për rikthimin e figurës së intelektualit në debatin akademik dhe publik.

Aktiviteti iu kushtua figurës së piktorit të njohur Lin Delija, një nga emrat më përfaqësues të artit shqiptar të shekullit XX, i cili përmes veprës së tij ka ndërthurur elementët kombëtarë me universalen, duke ndërtuar një gjuhë artistike autentike dhe me theks të fortë shpirtëror.

Referimet e Ardian Ndrecës, Sidi Kananit, Zef Pacit dhe Lekë Gjeloshit sollën këndvështrime të ndryshme mbi artin e Delijës, rolin e intelektualit dhe lidhjen mes krijimit artistik dhe përvojës njerëzore, duke nxitur diskutime me publikun e pranishëm.

Konferenca u karakterizua nga një atmosferë reflektimi dhe shkëmbimi idesh, duke riafirmuar rolin e Universitetit të Shkodrës në kultivimin e mendimit kritik, kulturës dhe kujtesës artistike.

Shpërndaje