KF Shiroka, në super formë! Pesë fitore radhazi në kampionat…

Shpërndaje

Ekipi shkodran i KF Shirokës po kalon një moment të shkëlqyer në Kategorinë e Dytë, duke marrë sot fitoren e pestë radhazi, këtë herë ndaj Sopotit.

Në një përballje të luftuar, Shiroka u tregua më kërkuese dhe krijoi disa raste të pastra për gol. Megjithatë, rrjeta u tund vetëm në sekondat e fundit të ndeshjes. Një gabim i mbrojtjes kundërshtare u shfrytëzua nga Dulaj, i cili asistoi saktë për Olamiden. Ky i fundit nuk fali, duke shënuar golin që vulosi triumfin dhe ndezi festën te shkodranët.

Pas këtij suksesi, Shiroka arrin në 15 pikë, duke konsoliduar vendin e dytë në renditje, 5 pikë mbi Sopotin dhe vetëm një pikë larg kryesueses Besëlidhja. Pas pauzës së kampionatit, skuadra do të udhëtojë drejt Shijakut për t’u përballur me Erzenin në transfertë.

Shpërndaje