KALAJA: KEMI NXJERRË MËSIME NGA NDESHJA E KALUAR ME KUKËSIN…

Bashkë me trajnerin Brdariç, sot në konferencë për shtyp ka qenë edhe mesfushori Arlind Kalaja. Ai ka thënë se gëzon një formë të mirë sportive dhe pret momentin e tij. Por nga ana tjetër, ka shprehur bindjen se edhe nesër ndaj Kukësit, Vllaznia do të tregojë vlerat e saj dhe do të synojë vetëm fitoren.

Pak para fillimit të sezonit kam patur një dëmtim që më ka marrë jo pak kohë. Por di të them se gjatë gjithë kësaj periudhe kam patur mbështetjen e gjithë stafit dhe në momentin që jam kthyer , janë mundur të më japin minutat që kisha nevojë dhe tani jam gati për të luajtur.

Ecuria e deritanishme është meritë e grupit, e stafit teknik, e bordit drejtues. Në ekip ekziston një atmosferë shumë e mirë, jemi një grup shumë i lidhur dhe kjo transmetohet shumë qartë edhe në fushën e lojës sepse është e dukshme. Uroj që këto rezultate të vazhdojnë kështu dhe të arrijmë objektivat e ekipit.

Po është e vërtetë që kam qenë pjesë e Kukësit më parë, por nga ajo periudhë thuajse nuk ka mbetur asnjë lojtar, është vetëm Vesel Limaj, i cili edhe ai nuk e di nëse do të jetë gati për nesër. Unë e pres me shumë dëshirë ndeshjen dhe uroj që të dalim fitimtarë prej fushës.

Mendoj se ndeshja e fazës së parë kur na mundi Kukësi në Shkodër, ka qenë një ndeshje episodesh dhe rezultati nuk ka treguar fytyrën e vërtetë tëndeshjes. Absolutisht që e kemi përgatitur mirë ndeshjen e nesërme. Ajo e kaluara na ka bërë mirë sepse e kemi njohur më mirë kundërshtarin, por i dimë aftësitë tona dhe nuk duam të mendojmë më për të shkuarën, por për të ardhmen.

Unë mendoj se një ndër cilësitë ndryshe që ka trajneri ynë, është komunikimi, mënyra si në flasim me njëri- tjetrin dhe si ai na bën të ndihemi. Na lejon të shprehemi lirshëm në fushën e lojës dhe ky mendoj se çelësi i suksesit, komunikimi dhe mënyra si punon me ne në anën psikologjike, por edhe në atë taktike, teknike etj.