
Parku Arkeologjik i Shkodrës, me në qendër Kalanë e Shkodrës, rezulton siti më i vizituar në Shqipëri për dy muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Rritja e numrit të vizitorëve ka vijuar edhe gjatë muajit mars, duke konfirmuar një trend pozitiv për turizmin kulturor në veri të vendit.
“Jo vetëm që është monumenti më i vizituar në rajonin e veriut, por është ndër më të vizituarit në rang kombëtar. Një trend në rritje shihet edhe gjatë muajit mars”, u shpreh Helidon Sokoli, Drejtor i DRTK Shkodër.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, në fokus mbetet përmirësimi i infrastrukturës rrugore drejt kalasë, si dhe rivitalizimi i hapësirave të brendshme. Këto ndërhyrje janë pjesë e një projekti të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, zbatimi i të cilit pritet të nisë brenda pranverës.
“Një projekt që ka në qendër infrastrukturën dhe përmirësimin e kushteve për vizitorët. Do të hapet një faqe e re për kalanë e Shkodrës në aspektin e atraksionit turistik”, theksoi ai.
Edhe viti 2025 shënoi një rekord, me afro 179 mijë vizitorë vendas dhe të huaj, duke dëshmuar se Shkodra mbetet një destinacion i rëndësishëm për turizmin historik, kulturor dhe natyror.




