Kalaja e Shkodrës drejt rivitalizimit, projekt i ri për rritjen e turizmit kulturor…

Shpërndaje

Kalaja e Shkodrës pritet t’i nënshtrohet një sërë ndërhyrjesh restauruese dhe përmirësuese, me synim shtimin e vizitorëve dhe fuqizimin e turizmit kulturor në qytet.

Në kuadër të kësaj nisme, është hapur një procedurë në sistemin e prokurimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ku operatorët ekonomikë të interesuar ftohen të paraqesin shprehjen e interesit për realizimin e projektit.

Investimi është pjesë e programit “Albania Infrastructure and Tourism – Enabling Programme”, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian përmes asistencës teknike dhe granteve të investimit me vlerë totale 40 milionë euro. Programi plotësohet edhe nga një kredi sovrane e BERZH për Qeverinë shqiptare.

Çfarë parashikon projekti në Kalanë e Shkodrës

Projekti do të zbatohet në territorin e Kalasë së Shkodrës, monument kulture nën administrimin e Bashkisë Shkodër. Pozicioni i favorshëm gjeografik dhe klima mesdhetare e zonës konsiderohen elementë kyç për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.

Ndërhyrjet e planifikuara përfshijnë:

  • Restaurimin e shtegut të jashtëm të kalasë;
  • Rikonstruksionin e muzeut dhe fasadës së godinës, rikualifikimin e Oborrit nr. 4, përmirësimin e ambienteve sanitare ekzistuese dhe rehabilitimin e linjës së furnizimit me ujë sipas rrjetit aktual;
  • Krijimin e një hapësire rekreative në Oborrin nr. 2, e përshtatshme për aktivitete kulturore dhe artistike;
  • Përmirësimin e ndriçimit të brendshëm të kalasë, duke përfshirë rrjetin ekzistues;
  • Restaurimin e dy pikave panoramike dhe ndërhyrje konsoliduese në muret hyrëse;
  • Zgjerimin e parkimit për autobusë dhe mjete të transportit turistik, si dhe ndërtimin e ambienteve të reja sanitare në zonën e parkimit, në rrëzë të kodrës, në lagjen Pazar;
  • Elementë të dizajnit urban si vendosja e stolave, koshave të mbeturinave dhe sinjalistikës turistike brenda territorit të kalasë.
Programi në nivel kombëtar

Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë kombëtar për zhvillimin e infrastrukturës dhe turizmit, i cili po zbatohet në disa rajone të vendit. Qëllimi është rritja e aksesit, përmirësimi i infrastrukturës dhe vlerësimi i aseteve natyrore e kulturore.

Më herët janë njoftuar ndërhyrje në zonat rurale të Korçës për turizmin e aventurës, projekte në rrugët turistike të Velipojës, investime në infrastrukturën e Bogës, ndërhyrje në Parkun Kombëtar të Tomorit, si dhe projekte për përmirësimin e aksesit dhe mobilitetit në zonën e Labërisë.

Përmes këtij programi synohet forcimi i turizmit si një sektor kyç për zhvillimin ekonomik, duke ndërthurur investimet infrastrukturore me një qasje të qëndrueshme për destinacionet turistike.

Shpërndaje