Jonuzi: Është rritur entuziazmi te Vllaznia. Largimi i Skukës dhe Xhixhës, në favorin tonë…

Mesfushori i Vllaznisë, Fjoart Jonuzi, duke folur në emisionin “Skaner” në MCN TV, u shpreh se te shkodranët është rritur entuziazmi pas afrimit të Bekim Balajt.

Sipas Jonuzit, largimi i Xhixhës nga Tirana dhe largimi i Skukës nga Partizani, janë në favorin e Vllaznisë, pasi do ndikojë në ekipet respektive.

I pyetur për Kukësin, mesfushori tha se ndjen keqardhje për pozitat ku ndodhet skuadra e vendlindjes.

Kemi kapur një formë të mirë. Jemi përmirësuar shumë në mbrojtje, sepse kemi pasur probleme. Kemi krijuar pjekuri. Të jemi të sigurt mbrapa është e rëndësishme në futbollin shqiptar. Jemi mirë edhe me shënimin e golave dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu.

Ne mesfushorët kemi punë, të ndihmojmë ekipin. Është e rëndësishme edhe shënimi i golave dhe më vjen mirë për këtë. E rëndësishme në futboll është edhe vazhdimësia dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Jemi në të njëjtat pozita me Partizanin dhe Tiranën. Kemi një ekip cilësor. Me afrimin e Balajt jemi përforcuar, presim edhe Latifin. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhës. Edhe ekipet e fundit mund të të hapin probleme. Edhe Egnatia ka një ekip të mirë.

Me afrimin e Balajt është rritur entuziazmi, do na rrisë cilësinë besoj. Ne mendojmë dhe kemi besim tek ai se do na ndihmojë.

Largimi i Xhixhës dhe Skukës? Janë lojtarë me cilësi që kanë mbajtur peshë në ekipet e tyre. Do ndikojë kjo. Është në favorin tonë. Tirana është përforcuar sërish dhe i shikoj sërish të forta.

Për golat nuk kam ndonjë objektiv. Puna ime është që të shfaqem në fushë. Roli i mesfushorit është kyç në skuadër. Këto golat e shënuar më japin besim për vazhdimësinë.

Normal që më vjen keq për Kukësin, është ekipi i vendlindjes. Janë në një moment të vështirë. Por duke parë edhe lojtarët që kanë, mendoj se do dalin nga kjo situatë.

Në këtë kampionat është e vështirë për tu shkëputur. Edhe ekipet e fundit janë shumë të forta.