
Të dielën do të mbyllet sezoni i rregullt i “Abissnet Superiore”, me ndeshjet e javës së 36-të që do të luhen të gjitha në orën 16:00. Gara mbetet e hapur për vendin e parë, për skuadrën që do të bjerë nga kategoria dhe për ekipin që do të luajë në play-out.
Pas 35 javësh janë përcaktuar matematikisht vetëm katër pozicione, ndërsa java e fundit pritet të sjellë emocione deri në fund. Flamurtari tashmë është rrëzuar në Kategorinë e Parë, ndërsa një tjetër skuadër do t’i bashkohet dhe një tjetër do të detyrohet të luajë në play-out për mbijetesë.
Vora-Bylis konsiderohet sfida direkte për mbijetesën. Bylis ka 41 pikë, dy më shumë se Vora me 39, dhe skuadra që fiton siguron qëndrimin në elitë, pavarësisht rezultateve të tjera.
Elbasani kryesues përballet me Tiranën. Elbasanit i mjafton një pikë për ta mbyllur sezonin në vendin e parë, ndërsa Tirana rrezikon play-out nëse fitojnë Vora dhe Teuta. Kjo e fundit luan ndaj Egnatias në Rrogozhinë dhe ka nevojë për fitore për të siguruar mbijetesën, ndërsa kampionët janë të sigurt në vendin e tretë.
Në Shkodër, Vllaznia pret Flamurtarin e rrëzuar matematikisht. Kuqeblutë mund të ngjiten në vendin e parë vetëm në rast se fitojnë dhe Elbasani humbet.
Ndërkohë në kryeqytet luhet derbi Partizani-Dinamo, një sfidë që nuk ndryshon renditjen aktuale të dy skuadrave, por çdo pikë mbetet e vlefshme për fazën e mëtejshme në garën për titull.




