Informaliteti në futboll, presidenti i Vllaznisë: Jo gjueti shtrigash, të niset nga fillimi

Informaliteti është kthyer në një problem në çdo sport në Shqipëri, madje kryeministri Rama ka premtuar zerimin e saj të paktën në futboll.

I ftuar në Ora Sport në RTV Ora, Presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi thotë se nuk është kundër informalitetit, por jo të shkohet për gjueti shtrigash dhe të penalizosh skuadra. Ai kërkon që gjithçka të nisë nga fillimi.

Xhaferi: Kjo puna e sponsorizimeve ka kohë që flitet. Vllaznia paguan 120 mln lekë të vjetra vetëm sigurime shoqërore. Nuk duhet të flasim për gjueti shtrigash. Qeveria të bëjë gjithçka të mundur formalizimin e klubeve, nuk jam kundër. Faji i informalitetit është I përbashkët. Çdo gjë duhet të fillojë nga fillimi. Infrastruktura për sportin në Shqipëri është në nivelet më të ulëta. Ne në Shkodër kemi vetëm dy fusha, dhe ato janë private.

Ndërkohë ai thotë se Liga Profesioniste si dhe presidentët e klubeve të superiore nuk do të pranojnë ndërmjetësimin e një pale të tretë me qeverinë por vetëm takim me kryeministrin.

Xhaferi: U ra dakord unanimisht që do negociojmë vetëm me qeverinë personalisht. Duhet t’i jepet serioziteti i plotë kësaj çështje. Të ketë një diskutim direkte me kryeministrin. Katër kushtet janë shumë të rëndësishme për futbollin.