“Grushta e shkelma në mes të burgut”, drejtori dhe polici falsifikuan raportin, pse u pezulluan zyrtarët e “Reçit”

Maliq Meta, drejtori i Burgut të Reçit në Shkodër, Robert Bundo Shefi i policisë në këtë institucion dhe polici Gëzim Qoshku janë pezulluar nga puna pasi akuzohen se falsifikuan raportin për një konflikt fizik brenda burgut.

Sipas një njoftimi të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve urdhrin për ekzekutimin e vendimit për pezullim e dha Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pasi nga hetimi vërtetoi se zyrtarët falsifikuan raportet për të lehtësuar të dënuarit autorë të një sherri.

Më 20 korrik 2021, rreth orës 10:25 në ambientet e ajrimit në IEVP të dënuarit “E.Ç.”, “F.G.” dhe “P.N.”, dhunuan me shkelma dhe grushte bashkëvuajtësin “E.Z.”.

Oficeri i policisë nënkomisari G. Q përpiloi raport shërbimi të ngjarjes për autorët. Mandej, me urdhër të drejtorit dhe Shefit të Policisë, ai hartoi raport të dytë dhe kreu falsifikimin e firmave të efektivëve të policisë “G.Q.” dhe “E.Z.”.

Në raportin e dytë thuhet se thjesht kishte ndodhur një konflikt verbal.

“Puna vazhdoi mbi raportet e falsifikuar në Komisionin Disiplinor, që kishte anëtar drejtorin Meta dhe shefin e policisë Bundo. Më tej, hetimet vërtetuan falsifikimin e kryer në bashkëpunim, u morën deklarimet dhe u administrua i gjithë dokumentacioni i falsifikuar”, thuhet në njoftimin e SHKB.