
Gara për “Këpucën e Artë” në Kategorinë Superiore 2025/26 po shfaq nivel të lartë konkurrence, ku diferencën nuk e bëjnë vetëm golat, por pesha e tyre në rezultat. Disa sulmues po spikasin pikërisht për golat vendimtarë, duke u kthyer në faktorë kyç për skuadrat e tyre.
Në krye të renditjes qëndron Bekim Balaj. Sulmuesi i Vllaznisë po kalon një sezon shumë të mirë, me 10 gola të realizuar, prej të cilëve 4 kanë qenë vendimtarë. Balaj mbetet boshti i lojës sulmuese së shkodranëve dhe një nga arsyet kryesore të ecurisë pozitive të ekipit.
Pas tij renditen dy futbollistë të Dinamos, Saliou Guindo dhe Lorenco Vila. Të dy kanë shënuar nga 4 gola secili, ndërsa 3 prej tyre kanë rezultuar vendimtarë. Kontributi i dyshes ka qenë thelbësor në fitimin e pikëve për dinamovitët, duke i dhënë skuadrës siguri dhe efikasitet në fazën ofensive.
Në listë spikat edhe Blaise Tsague i Elbasanit, autor i 7 golave, ku 3 kanë vendosur ndeshjet. Forca fizike dhe prania e tij në zonë e kanë kthyer Tsague në një pikë referimi për verdheblutë këtë sezon.
Top-5 mbyllet nga Alessandro Albanese i Egnatias. Me 6 gola të shënuar, 3 prej tyre vendimtarë, ai ka sjellë më shumë shpejtësi dhe alternativa sulmuese për kampionët në fuqi, veçanërisht nga krahu i majtë.
Shifrat tregojnë qartë se këta lojtarë nuk po kontribuojnë vetëm me gola, por me gola që vlejnë pikë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në garën për objektivat e sezonit në Kategorinë Superiore 2025/26.





