
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në qeli. Gjykata e Lartë rrëzoi këtë të martë (8 korrik) kërkesën e Veliaj për lirim nga qelia, duke lënë në fuqi masën “arrest me burg”.
Pak javë më parë, edhe Apeli i Gjykatës së Posaçme refuzoi kërkesën e Veliajt për zbutjen e masës “arrest në burg”.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, në ambientet e Bashkisë së Tiranës, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në 9 raste, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në kuadër të këtij hetimi, edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, është marrë e pandehur, duke iu caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Pak javë më parë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me Gjykatën e Posaçme sekuestruan një pronë të kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij në zonën e Kodrës së Diellit.




