FOTO/ Lulet janë dekori më i bukur i oborrit të familjes Tufi në Shkodër …

Sekretin për të pasur lule të shëndetshme dhe të bukura e ruajnë me fanatizëm zonjat e kësaj shtëpie. Në oborr, gjen mbi 50 vazo me lule të shumëllojshme, teksa tradita e kësaj familjeje të madhr ka ushqyer ndër breza pasionin për t’u kujdesur për to, si një trashëgimi e bukur e përcjellë ndër vite.

Sapo futesh në oborr ndjen aromën e borzilokut, rozmarinës që i përdorin jo vetëm për zbukurim, por edhe në gatim.

Lulet e vjetra të këtij oborri me aromë ishin ndër më të preferuarat e nipave, mbesave, dashamirësve, miqve e kolegëve, për të cilët kjo shtëpi ishte familje.

Zonjat e shtëpisë janë përkujdesur që lulet dhe bimët përveç zbukurimit t’i përdorin edhe për gastronomi.

Në kopshtin e familjes Tufi dominojnë lulet e vjetra shqiptare si: trëndafili me aromë, karafilat e të gjitha ngjyrave, mullagat, aloe verat, rozmarina, borziloku dhe lulet e borës.

Në oborrin e familjes Tufi, ku janë rritur 4 breza, lulet kanë ndërtuar një raport shumë të ngushtë, me familjarët saqë çdo lule aty mbart një kujtim.

Në këtë banesë mbi 100 vjeçare lindi dhe u rrit kolosi i atletikës shqiptare, ‘Mjeshtër i Madh i Sportit’, Prof. Vildan Tufi. Një jetë dedikuar atletikës, si sportist dhe më pas si trajner duke bërë që nga puna e tij Shqipëria të fitojë kampionë të mëdhenj kombëtarë, por edhe të numëroj rezultatet më të larta në arenën ndërkombëtare.

Çdo shtëpi ka më shumë dashuri kur ka lule. E tillë është dhe oborri i familjes Tufi, me ngjyra, kujtime, dasma, vëllezër, motra, nipër e mbesa. Kur del nga kjo shtëpi të përcjellin lulet, dhe kur kthehesh, ato janë të parat që të presin, në këtë banesë të çmuar në një lagje të bukur shumë shkodrane.

Marrë nga Trashëgimia Kulturore Shkodër (Drtk Shkodër)