
Elbasani ka marrë një fitore të rëndësishme në shtëpi ndaj Vllaznisë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të Abissnet Superiore. Takimi i zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” u mbyll me rezultatin 3-1.
Vendasit e dominuan pjesën e parë, duke shënuar dy herë me Tsague në minutën e 22-të dhe Lajthia në të 39-ën. Vllaznia reagoi në fraksionin e dytë, ku në minutën e 73-të Klinti Qato ngushtoi diferencën.
Megjithatë, shpresat e shkodranëve u shuan shpejt, pasi Lajthia realizoi sërish në minutën e 77-të me një gol shumë të bukur, duke vulosur fitoren e Elbasanit.
Falë këtij suksesi, Elbasani ngjitet në krye të renditjes me 62 pikë, dy më shumë se Vllaznia e vendit të dytë.




