Droga në Mal të Zi, nën hetim doganierët e dy vendeve…

Kontrollorët dhe zyrtarët në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit janë vënë nën hetim pas sekuestrimit të rreth gjysmë toni drogë, të kapur një ditë më parë në Mal të Zi. Veprimet e tyre janë duke u verifikuar tashmë nga një grup i posaçëm hetimor. Autoritetet e të dyja vendeve janë duke bashkëpunuar për të identifikuar trafikantët.

Kamioni me targa shqiptare ku u gjet lënda narkotike u nis nga Shqipëria dhe ishte duke transportuar bimë medicinale. Deri më tani, policia ka të ndaluar vetëm shoferin e kamionit. Burime pranë policisë bëjnë me dije se shoferi 38 vjeçar ka deklaruar se nuk kishte informacion se çfarë kishte në brendësi të kamionit.

Por varësisht kësaj, hetuesit dyshojnë se ai është bashkëpunëtor në trafik për shkak se nuk ka deklaruar të plotë itinerarin e ndjekur nga vendi ynë deri në kalimin në Mal të Zi, në pikën kufitare Bozhaj, aty ku u pikasën edhe pakot me kanabis. Policia është duke hetuar vendet dhe lëvizjet që ka kryer kamioni, si dhe pronarët e drogës.

Sipas mediave malazeze, lënda narkotike që vinte nga Shqipëria, do të kalonte transit në Mal të Zi, me destinacion përfundimtar Gjermaninë./abcnews.al