“Doktori i mrekullive”/ Dr.Besnik Mustafaj është ortopedi i spitalit rajonal Shkodër….

Nga Ramazan Çeka

DOKTORI I MREKULLIVE

Një ditë e zakonshme me një mjek të jashtëzakonshëm.

Le të përmendim dhe të ndriçojmë shembujt më të mirë nga jeta jonë, heronjtë e vërtetë dhe të devotshëm, në vend të kriminelëve që mbushin çdo ditë kronikat e zeaza.

Kur ndjehesh mirë me shëndet është normale që të mos kujtohesh për shërbimin e mjekut, ama është krejtësisht e kundërta që, kur nuk ndihesh mirë, të kujtohesh për të.

Të tilla raste i hasim shpesh. Kështu më ndodhi edhe mua pak ditë më parë dhe ky rast për të cilin do të shkruaj më poshtë, më nxiti që ta sjell në vëmëndje të lexuesit me anë të këtij shkrimi. Në fakt nuk është hera e parë që shkruaj për mjekët e mrekullueshëm të qytetit të Shkodrës, ashtu siç nuk është hera e parë që shkruhet për Dr.Besnik Mustafaj.

Më herët kam shkruar për mjeken e paharruar Zyliha Kraja, por edhe për ata që sot janë në detyrën e tyre humanitare: Dr.Ardian Dajti, Dr. Luan Bajri, Dr.Lindita Dibra, si dhe për një mjek të mrekullueshëm që jeton dhe punon në Amerikë, për Dr. Bari Ceka, i cili është mik i të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë atje.

Kësaj here mora përsipër të shkruaj për Dr.Besnik Mustafaj, ortoped në Spitalin Rajonal në Shkodër, me të cilin kam patur njohje shoqërore, por edhe eksperienca personale, vlerësimet e të cilave i kam gjetur edhe në opinionin e bashkëqytetarëve të mi, si një mirënjohje të jashtëzakonshme për punën dhe përkushtimin e tij ndaj pacientit.

Të gjithëve iu uroj suksese në misionin e tyre humanitar, duke përfshirë në këtë shkrim edhe të mrekullueshmin Dr.Besnik Mustafaj, që nuk ndreq e drejton vetëm kocka, por edhe shpirtra, fjalët e të cilit janë pasqyrë e betimit që ka bërë si mjek.

Dr.Besnik Mustafaj është ortoped në spitalin rajonal të Shkodrës, me të cilin kam pasur rastin të njihem personalisht, ku vlerësimet e mia personale kanë qenë në unison me opinionin e bashkëqytetarëve të mi dhe po të ishte momenti për t’i dhuruar këtij mjeku një çertefikatë vlerësimi, motivacioni do të ishte: Mirënjohje të jashtëzakonshme për punën dhe përkushtimin e tij ndaj pacientit.

Ishte një ditë e dielë e këtij gushti dhe një ditë e zakonshme pushimi për mjekun tonë të nderuar Besnik Mustafaraj dhe duke qenë një ditë vere, ashtu si gjithë qytetarët edhe ai kishte planifikuar ta kalonte një ditë pushimi diku në bregdet me familjen e tij. Unë pikërisht këtë të diel kisha lënë takim me një mik të afërt, i cili kishte ardhur nga Amerika për të kaluar pushimet në vendlindjen e tij, në Krajë.

Ishe dita e fundit e pushimeve që kishte planifikuar miku im nga Kraja Mirsad Kovaçi, i cili të nesërmen do të udhëtonte për Amerikë dhe pikërisht këtë të diel në mëngjes më telefonoi, duke më treguar se kishte një problem urgjent shëndetësor, të cilin, sipas miqve të tij mund t’ia zgjidhte një mjek shumë i njohur e shëmë i mirë në Shkodër.

Bëhej fjalë për mjekun e mrekullueshëm ortoped Dr. Besnik Mustafaj. Me një lloj krenarie të lindur nga respekti ndaj këtij mjeku i them që e njoh shumë mirë dhe i flas për të me një vlerësim të jashtëzakonshëm.

Unë kontaktova me doktorin dhe pasi ai u njoh me këtë problem shëndetësor të mikut tim Mirsad Kovaçi, më befasoi me fjalët e tij: “Ju pres në spital në orën 12:00”. Unë e dija shumë mirë se ai e kishte ditë pushimi.

“Rruga vade s’ka” thotë një shprehje popullore shkodrane. Ne nuk arritëm të shkonim në orar në spital, për shkak të trafikut të madh në doganën e Muriqanit, por Dr. Besniku, ashtu siç e ka emrin i kishte qëndruar besnik fjalës së dhënë. Ai na priti me durim, por edhe me mirëkuptim, sepse ishte në dijeni të situatës në kufi.

Dy fjalë përshëndetje i lanë vendin vizitës mjeksore që Dr. Besniku i bëri mikut tim nga Kraja me aq përkushtim e profesionalizëm, ku pas këshillave që mjeku e ndjen detyrë t’i japë, i dha edhe receten e nevojshme të mjekimit.

Ky takim mjek-pacient pësoi një “thyerje” të vogël. Miku im Mirsad Kovaçi tentoi disa herë ta paguante këtë vizitë, duke e lidhur me shumë gjëra që kanë të bëjnë me profesionin e mjekut, duke e lidhur atë me pritjen e gjatë, me privimin e një dite pushimi, por duke harruar se Dr. Besniku ishte aty sepse e ndjente për detyrë, jo si përfaqësues i emrit të tij, por si përfaqësues i profesionit të tij. “Sot ju patët nevojë për mua, na u drejtua ai, nesër mund të kem unë nevojë për ju”.

Unë e kisha provuar këtë situatë dhe gjithmonë isha ndjerë mirë në marrëdhëniet me këtë mik doktor, por u ndjeva shumë më mirë kur pash buzëqeshjen mirënjohëse të Mirsadit, që ishte shprehja më e bukur e falenderimit.

“Ky doktor mor Zan, të shëron dhe pa ilaçe”, – më tha Mirsadi tek po largoheshim nga spitali dhe vazhdonte të përsëriste fjalët e Dr. Besnikut që sot nuk erdha në spital me krye vizitë mjeksore, por erdha vetëm për ju, pasi mora vesh, se nesër do të udhëtosh për Amerikë.

Ne u larguam nga spitali me një respekt të veçantë për këtë mjek relativisht të pjekur në moshë, por edhe në profesion, por njëkohësisht të bindur se këta djem e vajza janë bijtë tanë, të cilët si në çdo sferë të jetës do të zevendësojnë brezat e mrekullueshëm që kanë lënë gjurmë dhe emër në këtë mision kaq njerëzor.

Faleminderit Dr. Besniku, Doktori i mrekullive.

Ramazan Çeka (Shtator 2022)