
Nga Damir Dibra
Si shqiptar i Malit të Zi; nuk mundem me qëndrue i heshtun kur gjuha e nji populli trajtohet si tepricë apo si “lëshim” politik në shtëpinë e vet.
Gjuha shqipe nuk asht nji kërkesë konjukturale e momentit, as nji zhurmë kalimtare nëpër korridoret e politikës ditore. Ajo asht rranjë që s’pritet, asht kujtesë që s’fshihet. Asht fjala e parë që na ka mësue nana; asht kodi i parë me të cilin kemi mësu me e emërtu botën dhe veten; e si e tillë, nuk mund të kushtëzohet e as të zvogëlohet nga asnji burokraci.
Për ata që ende i pengon prania e shqipes n’institucione, n’formularë zyrtarë, n’provime akademike a n’jetën publike, mesazhi duhet të jetë i qartë: problemi asnjiherë nuk asht gjuha, por mendësia ankronike që frikësohet prej saj. Frika ndaj nji gjuhe asht, në fakt, frikë ndaj barazisë reale. Sepse nji gjuhë që nuk do të kishte fuqi emancipuese dhe peshë historike, nuk do t’i pengonte askujt.
Studentët nuk po kërkojnë as luks, as privilegje e as favore politike. Po kërkojnë thjesht me fol, me mësu, me administrue dhe me u vlerësu në gjuhën amtare; pikërisht si çdo popull tjetër normal e sovran në Europën moderne.
Prandaj, kur studentët në Shkup ngrihen sot me dinjitet për të drejtat e tyne gjuhësore e akademike, ata nuk po kërkojnë mëshirë e as tolerancë sipërfaqësore. Ata po kërkojnë respekt. E respekti, në rrafshin e të drejtave të njeriut, nuk jepet me rregullore të cungueme e as me gjysmë-masa; ai ose ekziston i plotë ose mungon krejtësisht. Solidariteti ynë me ta tejkalon kufijtë administrativë, sepse cenimi i të drejtave atje, asht cenim i parimeve tona kudo.
Shqipja ka mbijetue stuhitë e shekujve; jo prej lejeve apo dritave të gjelbra të sistemeve, por prej shpirtit dhe rezistencës së nji populli që refuzon me e ulë kryet.
Sot e themi qartë, pa ekuivoke dhe pa asnji fije frike: shqipja në Mal të Zi, në Maqedoni të Veriut e kudo ku ajo frymon e jetohet, nuk asht nji “çështje” për t’u diskutue apo nji problem administrativ për t’u zgjidhë. Ajo asht autoktone!
Dhe për sa kohë të ketë qoftë edhe nji student, nji aktivist apo nji shqiptar që flet, që shkruan, që proteston dhe që mendon shqip; kjo gjuhë ka me mbetë ma e fortë, ma e pastër dhe ma e gjallë se çdo përpjekje administrative për ta lanë në hije.
Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.
Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.





