Damir Dibra: Pa Shqiptarë s’do t’kishte Mal të Zi…

Shpërndaje

20 vjet pavarsi…Kush nuk nderon gurin ku mbështet kamën, herët a vonë do t’rrshqasë.

Shpia që s’ka themel t’shnoshtë, i merren mendt n’stuhinë e parë. Shqiptarët ishin dhe mbetën ai themel mbi të cilin u ngrit liria e këtij shteti. Pa dorën tonë n’atë letër, historia sot do t’kishte tjetër emën e tjetër faqe. Shqiptarët në Mal të Zi nuk janë mysafirë që i gjeti nata n’këtë shpi të re; na jena trari i votrës. Kur u dashtë me i thanë “PO” lirisë, ne nuk matëm interesin, por matëm besën. E besa e shqiptarit nuk thyhet për nji dushk e nji krap.

E rranja e kësaj pavarsie asht e ujitun me djersën, urtsinë dhe durimin e nji populli që din me e nda t’mirën me kojshi, por që din edhe me e ruejt t’drejtën e vet si sytë e ballit. Kur historia u nda mes frikës e guximit, shqiptari nuk nëjti n’mes por doli hapun në anën e pavarsisë. Se na e dijshim mirë çka domethanë me jetue pa liri e pa za. Prandaj, kur erdhi dita me vendosë për fatin e shtetit, vota shqiptare nuk ishte vetëm votë politike; ishte besë.

Na i dhamë këtij shteti votën kur i duhej fryma; por shumë herë na ktheu shpinën atyne që ia mbajtën derën hapun n’ditën ma të ranë. Shqiptari e pshtoi pavarsinë me besë, e shpërblimi shpesh i erdhi me heshtje, harresë e padrejtësi. Kur Mali i Zi kërkonte dorë për me u ngritë, shqiptari ia dha të dyja; por kur shqiptari kërkoi drejtësi, shumë sy u ulën poshtë.

Prandaj, sot e ksaj dite; kur t’përmendet emni i këtij shteti, duhet me u hjek kapela para shqiptarit. Jo si nderim ndaj nji pakice, se na jena autokton; por si gjunjëzim para themelit. Pa ne, ky projekt s’do t’ishte as nji rresht n’librat e historisë. Na e bamë shtetin, duke mbetë gjithmonë vetvetja: të urtë në kuvend, të fortë në besë e të palkundun në tokën tonë.

Si lumi Po; fuqishëm e pandalshëm; ashtu jehoi në vitin 2006 “PO”-ja shqiptare për Malin e Zi të pavarun.

Shpërndaje