Da Silva: Këtë vit te Vllaznia kemi më shumë lojtarë cilësorë. Problemi im është që dëmtimet e vogla më bëhen të mëdha

Viktor Da Silva ishte përsëri heroi i Vllaznisë sot. Braziliani hyri në fushën e lojës në fillimin e pjesës së dytë dhe pas pak sekondash tundi rrjetën duke i dhënë suksesin skuadrës së tij përballë Laçit.

Një sukses i cili sipas tij ishte i merituar dhe që tregonte se braziliani po kthehej. Ai ka shpjeguar sot në “SuperSport” pse mungon kaq shpesh nga fushat e blerta dhe se shihte Vllazninë një skuadër ndryshe nga ajo e vitit të kaluar.

“Kam disa probleme muskulore që më shoqërojnë që nga kampionati i kaluar. Por po bëj maksimumin për të qenë në çdo ndeshje dhe për të ndihmuar skuadrën si sot.

Nuk më pëlqen të bëj krahasime me vitin e kaluar. Mendoj se kemi karakteristika të ndryshme këtë vit, kemi më shumë lojtarë cilësorë, është e mirë për ne. Por duhet të asimilojmë më mirë gjithçka, të bëjmë grup, shpresojmë që të fitojmë kampionatin me forcën e grupit.

Unë jam një person që kam vështirësi rikuperimi muskulare. Ka raste që mungoj për dëmtime të vogla që bëhen më të mëdha. Ndaj kam vështirësi të kem vazhdimësi. Po punoj, po bëj edhe palestër, duhet të bëj punë më shumë për të qenë në kondicion sa më të mirë. Kjo shihet kur jam në fushë dhe jam mirë fizikisht”, tha Da Silva.

PANORAMASPORT.AL