ÇUN LAJÇI: “Erdhën edhe blerës, por jo si n’Shkodër”!

M’kishte lodhë ajo zagushi e rrugëve t’Shkodres, e kur u çova nga shtrati, e hetova se trupi s’ishte i gatshem me ndejt n’stolin e gurit mes librave, n’rrezet e diellit të këtij shtatori përcëllues.

Jo thash, sot nuk shes. Nuk nxjerr libra n’rrugët e Tiranës, se rrugë mu paskan ba thundrat e shkronjat! Pluhun trotuarësh mu paskan mbushë këto pak fije mendësh!

Sot nuk shes!

Sot dua me i numërua gurët e trojeve t’mia shtrua n’Sheshin e Skenderbeut, e pemët gjethore rretheçark Sahatkullës me i prekë!

Dua me pa se cilës iu kanë tha rrajtë, e cilës gjethet.

Sot dua me ble, me mbushë rrashtën, për me pasë çka me shitë nesër!

Shkodrës boll ia mata dje kaldërmin me hapa t’plakun!Edhe kafet ia numërova, nji nga nji. Veç jo t’Madhen, ate t’vjetrën e viteve tridhetë, ku pinte Migjeni, para se t’nisej me biçikletë për Vrakë! Ajo s’shihej e s’prekej, se e mbështjellun rrinte me harrna t’zi!

Bile Gurakuqin vonë e pashë, tue i dredhë mustakët, se s’lente dielli me i çelë sytë! E kur i pashë soreat që zunë vend n’shtizat e flamujve mbi kokën e tij, s’mujta pa e këshillua: Ruaju, se këto s’kanë burrni! Glasat i lëshojnë vend e pa vend, e nuk dihet ku binë!

Ti rueje fytyrën, unë po e ruej hijën tue u kthye n’Rugovë, por jo si Isa Begu kah Podgorica, se besën ia kam veç vetvetës!

Dhe si dreqi që kapet me brinat e vet, u kapa unë me Isën.

Pse more s’u fute Kelmendit përpjetë, e me dalë n’Plavën e Jakupit, po t’rrojë dreqi n’Urë t’Ribnicë! A merak t’pat mbetë Veshoviqi, me pa edhe nji herë a?

Unë s’po kam besë n’Edin e ti pata besë n’shkaun!

Dhe m’shkoi mendja të Erioni!

Lakoje rrugën kah Tirana thash, e shko thuej atij piçpiriku, mos e merr ngryk Edin, siç me more mua, se po ia ngjet hastallëkun, e mbesin udhëkryqet pa përfundua!

Dhe kur po bahesha gati me i bajtë çaklat, e librave m’ua nxanë frymën n’kuferin e thyem, para meje u ndal benzi i zi. Vllaznit Ciroka dulen si prej çarkut t’pushkës. Ndale turrin plak, se nuk e lamë ujkun m’u kthye nepër terr me barkun unët. Ne kemi hangër bukë n’Hajla, të Fatos Lajçi, kusherini yt, e na vret mos me ia nderua fisin e barkun!

Eu, po Shkodër mizore ishe kanë moj loce, thashë kur Brilandi ma mori kuferin prej dorës, e Ndriçimi rafall tue i lëshua fjalët!

Tanë ditën u the televizioneve, jam mes shkodranve t’mi!

Ku je nisë tash pa shti gja n’gojë?

N’kjofsh mes shkodranve, ti nuk nisësh pa e kërkua nafakën tande, se s’i ke le dreqit me zor!

Ajo shkodranja e re, Edona Staka, që m’u ba si Buba jeme, m’kqyri dhimbshëm. Sikur i folën sytë: Shko bacë, shko e ha darkë, se gjithëditën veç ujë e kafe pive!

Mirë e ke moj e mira e babës, i thashë, veç edhe ty t’mora n’qafë gjithëditën, tue i lutë njerzit me ma ble librin, e tue m’pru kafe e ujë, para Kafës s’Madhe, t’shkretnuemes, të mbështjellunes n’bezin e zi!

Kështu përfundojnë ndërtesat n’za, kur bahen ortak shqiptarët e s’merrën vesh, i thashë, kur e mora ngrykë e ia lashë natën e mirë.

Eh more Zot, sa t’dashtuna janë vajzat për prindë, i thashë vetës kur shkodranja e re u futë rrugicës mes dy kafeve, që njena ishte ngjyra-ngjyra, e tjetra n’vellon e zezë, por që të dyat histori n’vete.

Hej, Kafja e Madhe!

A duhet thanë ma shumë se kaq!

Apo duhet ta ngjalli malsorën e bukur, tue shitë qymyr me kalë!

A mos po e doni edhe Lulin me tullumba e Migjenin tue qajtë!

Darkën e hangra mbas Xhamisë se Madhe, me Cirokët, e vonë mora rrugë për Tiranë!

Ramë Gecin qyqe vetun e gjeta para hotelit!

Mos bjer me fjetë pa hangër diçka m’tha!

Jo vlla jo, nuk m’kanë lëshua shkodranët pa darkë. S’kam nevojë për bukë, por për nji sy gjumë, se trupi m’ka lëshua, dhe u ngjita n’katin e katërmbëdhetë, aty ku ma ka ba strofullogun ky tropojanë!

Si duket as krahun s’e kisha pasë ndrrua natën, se dru mu kishte pas ba dora e djathtë!

N’shtatë u çova dhe u afrova të zyrat për aplikim t’kartës se identitetit! Ka shumë kohë që m’i ka skadua afati!

Ku banoni me pyeti zyrtarja?

N’Prishtinë i thashë!

Po ti je banorë i Tiranës, duhet t’keshë adresë këtu!

Deshta me i thanë për rrugën e Asim Vokshit, ku pata banua gjatë luftës, por s’mu kujtua pallati as numëri i banesës!

I thashë, banoj n’katin e 14-të, dhoma 1405 në Hotel Tirana. Nëse s’i ka ra hala pishman Ramë Geci, që m’ka thanë ti këtu e ke strofullogun!

Por kur e kërkoi numrin e celularit të Ramës, thashë: Ishalla nuk i thotë; jo more hiqu tij, se kam ba hajgare. Artistat rrejnë!

Por jo, s’e thirri!

Numëri m’duhet me t’lajmërua kur t’jetë gati xhaxh, por jo para dy javësh, m’tha!

I lumtun që s’e thirri Ramën, me vrap shkova të librat n’shesh!

Erdhën prap gazetarë!

Erdhën edhe blerës, por jo si n’Shkodër!

Por erdhi edhe avokati, Shqfqet Dizdari, tropojani që s’me kishte pasë harrua, e pra vetëm njiherë fjeti n’banesën time n’Prishtinë, t’cilën e shfrytëzonte Hajdin Sejdiu.

Ai erdhi n’mesditë. I mori tre tituj por i pagoi tridhetë dhe jo vetëm kaqë! Me shtroi drekë “n’Fiori” dhe e ftoi enkas për mua Kadriun e Eurosingut. Ai kur u çua ma dha zarfën me lekë për 50 libra. Mi le të Ramë Geci m’tha!

Ne mbramje erdhi nga Prishtina Abdullah Zenelin botuesi im, t’cilit i thashë: Unë nesër nuk do t’shes libra, se rrugët libra m’janë ba, dhe shkuem n’Fier n’Panairin e shtatë të librit, me ftesën e Majlinda Nana Rama.

Aty zyrtarisht u promovua romani im “Bastardët”. Foli vetëm Ahmet Prenci, se vetëm ai e kishte lexua! /Nga Çun LAJÇI, 10 shtator 2020/