COVID 19/ Kryebashkiakja Ademi mesazh qytetarëve të Shkodrës…

Të dashur bashkëqytetarë!

Jemi në javën e tretë të përballjes me pandeminë e COVID – 19.

Jemi shumë të shqetësuar për situatën që po kalon vendi dhe në veçanti Shkodra.

Pandemia e COVID- 19 po përparon dhe tashmë edhe Shkodra është përfshirë me persona të infektuar dhe në gjendje të rëndë. Dita- ditës po evidentohen raste të reja.

Ndërsa Organizata Botërore e Shendetësisë vazhdon të përsërisë “testim, testim, testim”, përsëri analizat që po deklarohen për korona virusin, janë të pamjaftueshme.
Edhe pse është shpallur gjendja e Fatkeqësisë Natyrore, nuk po konstatohet një qasje tjetër, më e përgjegjshme ndaj epidemisë nga ana e qeverisë.

Shpallja me shumë vonesë dhe pas kërkesave publike të përsëritura, nuk po shoqërohet me masa shtesë efektive siç është edhe shtimi i testeve për të gjurmuar të infektuarit e mundshëm.

Shumë i madh mendojmë se është rreziku në sistemin shëndetësor në Shkodër e fatkeqësisht edhe më gjerë. Në Spitalin Rajonal dhe në qendra shëndetësore, mjekët dhe infermieret, vazhdojnë të kenë mungesë totale të mjeteve mbrojtëse. Ata janë në kontakt të vazhdueshëm e të rrezikshëm me pacientë, të cilët mbase kurohen për një sëmundje tjetër, por mund të jenë edhe bartës të virusit të rrezikshëm.

Kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë me forcë mbrojtjen e mjekëve dhe infermierëve, e vetmja pengesë përballë pandemisë, e vetmja forcë reale që përballet me COVID – 19.

Njerëzit përveç virusit, po përballen edhe me probleme të shumta që lidhen me jetesën e përditshme.

Në numrin e vënë në dispozicion nga Bashkia Shkodër, çdo ditë janë qindra telefonata e mesazhe nga persona dhe familje që kërkojnë mbështetje me ushqime.

Të vetëm në këtë përballje, të mbështetur nga partnerët të shoqërisë civile, që i falënderojmë publikisht, Bashkia Shkodër ka mundur të ndihmojë personat e moshuar të vetmuar dhe familjet më në vështirësi ekonomike dhe sociale në territor.

Deri tani kemi shpërndarë në territor 792 pako ushqimore dhe 400 pako me materiale higjienike.

Bashkia Shkodër do të vijojë mbështetjen për secilin, sipas prioritetit të emergjencës që kanë.

Kjo situatë, kërkon solidaritetin e gjithsecilit nga ne, atij që ka mundësi të kontribuojë me diçka.

Thirrja ime për të gjithë është:

Ndihmoni të moshuarit e vetmuar, familjet në nevojë, kë keni afër!

Të bëhemi të gjithë bashkë në këto ditë shumë të vështira për të gjithë ne!

Prioritet i prioriteteve duhet të jetë shëndeti.

Në kushtet e Fatkeqësisë Natyrore kemi vetëm një rrugë:

Të vetëmbrohemi!
Qëndroni në shtëpi!
Kujdesuni për vehten dhe familjen tuaj!