Çinari: “Vllaznia i shkon në fund garës, Aralica dhe Latifi super”…

Eraldo Çinari në verë fluturoi drejt Turqisë, duke lënë Partizanin pas një periudhe 3-vjeçare, ku gradualisht u rrit dhe arriti të bëhet një titullar i padiskutueshëm dhe mbajtur peshën e klubit 16 herë kampion. Tashmë ai është pjesë e Samsunspor në Ligën e Parë turke, ku luajnë një “koloni” shqiptarësh. Sulmuesi ka dhënë një prononcim për “Panorama Sport”, ku ka folur për fillimin e vështirë në ekipin e ri dhe Partizanin e Vllazninë, dy ish-klubet e tij. Sulmuesi shprehet se Partizanit i duhen disa afrime në merkaton e dimrit për të qenë në gjendje të luftojë për titullin kampion.

Latë Partizanin në verë dhe po luani në një ligë jashtë vendit. Si ju duket kjo eksperiencë në Turqi? Jeni përshtatur me ushqimin, njerëzit dhe vendin atje?

Ushqimi këtu ngjan shumë me atë te ne në Shqipëri, njerëzit janë pak a shumë si ne. Kemi mentalitet të përafërt dhe nuk ka qenë e vështirë të mësohem me vendin këtu.

Nuk keni mundur të zini ende në një vend titullari te Samsunspor, keni dhënë një asist, por nuk keni gjetur ende golin. Çfarë ju ka frenuar në këtë fillim tuajin?

Është e vërtetë. E nisa shumë mirë në fakt, dhurova asist, por problemet e mia familjare më detyruan të jem më shumë në Shqipëri sesa në Turqi, dhe ato bënë të mundur që unë të mos jem në nivelin e pritshëm. Shpresoj që tani e mbrapa ta marr veten dhe të jem aty ku duhet dhe ku presin drejtuesit nga unë.

Jeni koloni shqiptarësh në Ligën e Parë turke. Cilin do të donit ta kishit te Samsunspor?

Në Ligën e Parë turke ka shumë lojtarë shqiptarë dhe kjo është diçka e mirë. Shqiptarët kanë bërë shumë mirë këtu, kanë luajtur dhe kanë ndihmuar shumë ekipet e tyre. Do të doja të kisha këtu në Samsun, Esin Hakajn, i cili ishte këtu dhe u largua, duke u kthyer në Shqipëri te Vllaznia.

Ka cilësi ajo ligë? Si është në krahasim me Superioren?

Liga e Parë këtu ka shumë lojtarë cilësorë si pjesë e saj, por mund të them se nga ana taktike Kategoria Superiore është në nivel më të lartë këtu.

Vllaznia ndryshe nga të kuqtë duket në formë të mirë këtë sezon. Si ju duken kuqeblutë?

E kam thënë që në nisje se Vllaznia është për kampion sepse me grupin e vjetshëm dhe me lojtarët cilësorë, që kanë marrë në verë, si Latifi apo edhe sulmuesi Aralica, që është lojtar shumë i mirë dhe i bën punë Vllaznisë, besoj se ata do të luftojnë deri në fund për titullin kampion.

Cilat ju duken ekipet më të forta të këtij viti në Superiore?

Kush e diskuton titullin? Vllaznia natyrisht, Kukësi gjithashtu. Ata më kanë surprizuar shumë në krahasim me atë që treguan vitin e shkuar. Tirana gjithashtu duket e fortë, por të mos harrojmë Partizanin sepse një klub si ata nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë.

Nëse do shkonin të dyja deri në fund, do të donit më shumë ta fitonte Partizani apo Vllaznia?

(Qesh) E bukur si pyetje. Besoj se ai ekip që do të japë më shumë në fushën e lojës do e fitojë kampionatin.

A e keni në plan kthimin në njërin prej këtyre dy klubeve në një të ardhme?

Nëse po, cilin do të donit më shumë ta ndihmonit me golat tuaj? Nuk e kam në plan rikthimin në Superiore. Kam kontratë afatgjatë këtu, për tri vite dhe do të bëj maksimumin të bëj sa më mirë këtu dhe t’i arrijmë objektivat e klubit për t’u ngjitur në Superligë. Kemi një ekip shumë cilësor dhe një presidencë me ambicie të mëdha. Shpresoj që mua personalisht të më shkojnë gjërat siç duhet, pas atyre problemeve që kisha. Shpresoj të shënoj sa më shumë dhe pse jo të arrij në një ekip më të madh.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL