
Në Galerinë e Arteve Shkodër u hap mbrëmjen e sotme ekspozita “IDROMENO – Çmimi i Artit Bashkëkohor për të Rinj”, një ngjarje që tashmë është kthyer në traditë për artin e qytetit verior.
Ky edicion, i tetë me radhë (EDC.8 – 2025), zhvillohet nën kujdesin e kuratorit Sidi Kanani, pedagog në Departamentin e Arteve të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Ekspozita sjell në fokus veprat e artistëve të rinj që po shënojnë identitetin e tyre në skenën e artit bashkëkohor shqiptar. Pjesë e saj janë edhe studentë, ish-studentë dhe pedagogë të Universitetit të Shkodrës, duke dëshmuar për vazhdimësinë e frymës krijuese që gjallëron këtë institucion.
Universiteti i Shkodrës mbetet një shtyllë e rëndësishme e jetës artistike dhe kulturore të qytetit, duke nxitur e promovuar talentet e reja që i japin energji të re artit shqiptar./RealitetiPost









