Brdariç: besojmë te kualifikimi ndaj Ael…

Trajneri i Vllaznisë Thomas Brdariç ka dalë në konferencë për shtyp si zakonisht në pragndeshje. Ai ka folur për përballjen e nesërme me AEL dhe është shprehur besimplotë se skuadra e drejtuar prej tij mund t’ia dalë të fitojë dhe të kualifikohet për në turin e tretë të “Conference League”.

“Është sfidë shumë e bukur për ne. Jemi plot energji, jam krenar për këtë që kemi arritur, edhe Shkodra duhet të jetë krenare për çfarë kemi arritur në këtë fazë. Tani duhet të japim më të mirën që të shkojmë edhe më tej.

Kam zbuluar disa hapësira për përmirësim. E kemi lënë pas ndeshjen në Qipro, jemi të përqendruar për të bërë disa ndryshime themelore dhe profesionale në nivelin e lojës, për të kuptuar nga gabimet, në mënyrë që të fitojmë.

AEL? Janë një ekip me më shumë buxhet, kanë rroga dhe kushte më të mira. Gjithsesi, ne treguam atje se jemi një ekip. Këtu kemi avantazhin e tifozëve. Lojtarët e mi janë gjithmonë të bindur dhe gjithmonë gati për të bërë atë që kërkoj unë. Duke llogaritur edhe tifozët, unë jam i bindur për fitore.

Latifi titullar? Është një lojtar që më pëlqen shumë. Përmirësimi që ka bërë javët e fundit por edhe aftësitë që ai ka, do na çojnë në një nivel tjetër si ekip. Ai ka ardhur këtu për të mbështetur dhe për të ndihmuar ekipin me aftësitë e tij. Është një lojtar që vërtetë e kam qejf. Nesër do e fillojë si titullar, ka mundësinë më të mirë për të treguar aftësitë e tij.

Një emocion i veçantë. Është një arritje e jashtëzakonshme ajo që kemi bërë nga sezoni i kaluar. E pamë edhe Teutën, jo gjithmonë e përcakton rezultati i parë se kush do të kalojë. Unë jam me vetëbesim maksimal që do të kalojmë, por duhet një punë e fortë për të fituar këtë betejë.

Mesazh për tifozët? Duhet të sillemi më mirë se herën e kaluar, UEFA na penalizoi rëndë. Na duhen paratë që marrim nga UEFA. Të gjithë duhet të na mbështesin, të na japin më shumë fuqi dhe të krijojnë një atmosferë të zjarrtë duke na ndihmuar që të fitojmë.

Kartonët e shumtë? Garimi në Conference League është një eksperiencë e re për ne. Gjërat janë disi ndryshe nga Superiorja, sa i përket gjykimit. Duhet të dimë të përballemi në këtë turne. Ishte një leksion ajo që ndodhi me Sirokin, por në ndeshjet e mëpasshme kemi qenë më të pastër me kartonët“.